Ish-deputetja Selmani kërcënohet me padi nga presidentja për një postim në FB

Ish-deputetja e AKR-së në Kuvendin të Kosovës, Myzejene Selmani, është kërcënuar me padi për shpifje nga presidentja Vjosa Osmani në lidhje me një postim në Facebook.

Me titull “Paralajmërim për Padi”, zyra e presidentes së Kosovës, i ka kërkuar largimin e postimit, siç ka thënë, shpifës dhe absolutisht të pavërtetë që kishte bërë në adresë të saj.

Më 18 gusht, Selmani kishte postuar në Facebook, duke shkruar “Një nënë, një grua me tërë atë shkollim dhe pozicion me mbrojt një dhunues seksuale të fëmijëve femra të mitra. Tepër po na mban toka, kur vet është nanë e dy vajzave. Tmerr, tmerr”.

Duke postuar emailin nga zyra e presidentes, Selmani ka thënë se është befasuar.

“Unë në atë postim se kam përmend pozitën e presidentes e as nuk kam apostrofuar emrin e Vjosa Osmanit. Flm shumë fjala e lirë është e garantueme me Kushtetutë e ‘nderuar’”, ka shkruar Selmani.

Ish-deputetja ishte duke reaguar pas lajmit për vrasjen e axhës së Prindon Sadriut, Sadri Sadriu në fshatin Bibaj të Ferizajt gjatë javës së kaluar.