Ish-koordinatori i ‘GUXO’: Edhe këta deputetë janë në bisedime për të aderuar në LDK
Ish-koordinatori i Listës Guxo në Komunën e Ferizajt, Valton Dërguti, ka deklaruar se përveç deputetes Doarsa Kica që është larguar nga ky subjekt politik, edhe dy deputetë të tjerë, Burim Meta dhe Ekrem Mustafa, kanë diskutuar me strukturat e LDK-së në Ferizaj që të kthehen në këtë parti, raporton Paparaci.
Kështu tha ai në Kanal 10, teksa u shpreh se të dy deputetët kanë pasur një kusht për LDK-në.
Kushti i tyre ka qenë që ata të udhëheqin me këto struktura në Ferizaj, por që ky subjekt politik nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
‘Nuk do të jetë vetëm Doarsa Kica që është larguar nga partia Guxo. Edhe të tjerët po shohin mundësitë për t’u larguar. Ata janë në biseda për t’u larguar dhe ndoshta po e presin momentin e duhur. Sipas informacioneve që kam, kohëve të fundit me strukturat e LDK-së në Ferizaj, dy deputetët e partisë Guxo kanë negociuar për t’u larguar, ata janë Burim Karameta dhe Ekrem Mustafa, që të kthehen në LDK”, tha ai.
“Por, kushti i madh i tyre ishte të kthehen si udhëheqës të LDK-së në Ferizaj dhe kjo parti nuk ua ka ofruar atë mundësi”, tha Dërguti në Info10.

