Ish-kryeinspektori i AKI-së: Kusari-Lila i raportoi Rodojeçiç-it, u cenua siguria kombëtare
Pas publikimit të një audio-incizimi të ri ku dëgjohet duke biseduar në telefon shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me kriminelin Milan Radojiçiç, ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, ka thënë se “raportimi” tek Radojiçiç-i është cenim i sigurisë kombëtare, derisa ka kërkuar dorëheqjen e Kusari-Lilës.
“Gjatë qershorit 2022, pra gati katër vjet pasi Radojiçiç-it i ishte bastisur banesa dhe rreth shtatë muaj pasi ishte futur në listë të zezë, shefja e Grupit Parlamentar të pushtetit në Kosovë dëgjohet me zë duke folur Radojiçiç-in në telefon. Madje, duke i ‘raportuar’ që sapo i përfundoi takimet në Kuvend dhe, pasi që u lirua (nga obligimet) po shkon në shtëpi”, ka shkruar ai në Facebook.
“Pra, në pak sekonda që dëgjohet telefonata, ajo më shumë ishte Raportim për axhendën ditore të Mimozës. Mimoza, dorëhiqu sot dhe rrëfeu për të gjitha detajet me saktësi. Hapja rrugën Prokurorisë të bëjë punën pa presionin e pushtetit”, shtoi.
Ndryshe, Kusari-Lila, kishte gënjyer publikisht kur kishte deklaruar se nuk ka biseduar direkt me telefon me Radojiçiçin, kriminelin dhe autorin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në një audio-incizim të ri të publikuar nga mediumi “Nacionale”, Kusari Lila dëgjohet duke biseduar me kriminelin Radojiçiç me ndërmjetësim të Sllavko Simiç-it nga Lista Serbe.
“Alo zemlajke, a po nihemi?”, i thotë Radojiçiç, Kusari Lilës. “Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila, teksa Radojiçiç e pyet “qysh je, qysh po kalon? “Qe, qe në Kuvend i kam pasë disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”, dëgjohet kryedeputetja e LVV-së duke biseduar me Radojiçiç-in.

