Ish-kryetari i Gjilanit dhe 35 të pandehur tjerë lirohen nga akuza për korrupsion
Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar aktgjykim lirues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 35 të pandehurve tjerë, të cilët akuzoheshin për korrupsion me tendera në Komunën e Gjilanit në bashkëpunim me operatorët ekonomik, raporton “Betimi për Drejtësi.
Gjykata vlerësoi se provat e nxjerra, respektivisht përgjimet e nxjerra në bazë të urdhëresës së Gjykatës së Qarkut, ishin nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe se mungonte kërkesa e prokurorisë për lëshimin e urdhëresës për masat e fshehta të përgjimit.
Zbatimi i masës së fshehtë, pa kërkesë të prokurorisë, është i paligjshëm.
Në këtë rast, fillimisht kanë qenë 39 të pandehur, prej tyre 29 zyrtarë komunalë dhe 10 operatorë ekonomikë.
Ky numër është ulur në 36 pasi është pushuar procedura për të akuzuarit Heset Mahmuti dhe Behar Mehmeti, të cilët kanë vdekur, kurse ndaj Burim Govorit është veçuar procedura.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazmi Jashari, Basri Kqiku, Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

