Ish-kryetari i Leposaviqit dënohet me 3 vjet burgim për korrupsion
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, duke e dënuar me 3 vjet burgim efektiv për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Aktgjykim dënues u shpall edhe për 13 të akuzuarit tjerë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”, derisa për “Pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal”, të gjithë të akuzuarit u liruan nga akuza.
Në këtë rast, aktakuza ngarkonte ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq.
Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzoheshin për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Dragan Jabllanoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 3 vjet burgim efektiv, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ndërsa, i akuzuari Haxhi Bejta, për veprën penale penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim, i cili dënim po ashtu do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari Aleksandar Ackoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv. Dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të njëjtit iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike dhe shërbim publik për dy vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.
I akuzuari Aleksandar Kostiq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 1 vit burgim, i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Të njëjtit i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti, pas mbajtjes së dënimit me burg.
Po ashtu, i akuzuari Çedomir Timotijeviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv. Edhe këtij, dënimi i ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Të njëjtit i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vite pas mbajtjes së dënimit me burg.
Bojan Banoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim. Atij i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vite pas mbajtjes së dënimit me burg. Dënimi me burgim, do t’i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Mirosllav Ivanoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv, i cili dënim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Të akuzuarit e lartpërmendur, për veprën “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, janë dënuar për kryerjen e saj në bashkëkryerje.
Kurse, i akuzuari Ivan Kadiq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 6 muaj burgim efektiv. Ky dënim, me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Dënimi i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Të njëjtit i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti.
I akuzuari Boban Millovanoviq për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 6 muaj burgim efektiv. Ky dënim, me pëlqimin e tij mund t’i zëvendëshet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Dënimi i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Edhe atij, i shqiptohet dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti.
Të akuzuarit e lartcekur, janë shpallur fajtorë për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje dhe vazhdimësi.
I akuzuari Xhemajl Ferizi, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 500 mijë euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Po ashtu, i akuzuari Haki Haxhiu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 500 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Po ashtu, edhe për të, dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
I akuzuari Mehdi Haxhiu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 500 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Edhe Mensur Rama, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 50 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti. Dënimi do t’i ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Dhe në fund, Nijazi Musliu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, dënohet me 100 mijë euro gjobë dhe me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e të akuzuarit mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 30 mijë euro.
Sipas Gjykatës, nuk u manifestuan elementet e veprës penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”, andaj të akuzuarit u liruan nga akuza për këtë vepër penale./BetimipërDrejtësi/

