Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja dënohet me dy vjet burgim

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, është dënuar sot me dy vjet burgim, për rastin e njohur si “Feronikeli”.

Gjykata ka refuzuar akuzat ndaj Bujës për pikat “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe ushtrim ndikimi”, thuhet në një njoftim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Halit Gashi është dënuar me 6 muaj burgim, masë kjo që mund të zëvendësohet me gjobë prej 2 mijë eurosh.

Hasim Viseshella është dënuar me pesë muaj burgim, dënim që mund të zëvendësohet me 1.500 euro.

Edmond Rexhepi është dënuar me gjashtë muaj, njësoj sa edhe Bajram Rizani, që mund të zëvendësojnë dënimin me 2 mijë euro.

Ndërsa, Magbule Sadiku është liruar nga akuzat.

Seanca përfundimtare ndaj Shukri Bujës ishte paraparë të mbahej më 9 shtator, por i pandehuri ishte vetizoluar për shkak të koronavirusit.