Ish-Shefi i UÇK’së niset drejt Speciales

Azem Syla, ish-Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është nisur drejt Hagës për intervistim nga Gjykata Speciale. Atje shkon si i dyshuar për veprimtarinë e tij gjatë dhe pas luftës.

Shkuarjen në Hagë e ka konfirmuar Ismail Syla, Këshilltar i Presidentit Thaçi.

“Çdo gjë në këtë botë ka dy anë të medaljes. Jeta e arsimtarit, profesorit, ish të burgosurit politik, luftëtarit të lirisë Azem Syla, nga cila do anë ka vetëm një të vërtetë – përkushtimin jetësor pë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjithmonë faqebardhë. Kudoqoftë. Do të kthehesh faqebardhë edhe pas këtij udhëtimi drejt Hagës”, ka shkruar Syla.

Deri më tash, shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së janë intervistuar nga Gjykata Speciale. Ende asnjërit s’i është ngritur aktakuzë.

Gjykata Speciale ishte themeluar me vendin të Kuvendit të Kosovës pas presionit ndërkombëtar.

Kjo gjykatë merret me zbardhjen e krimeve që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-2000. Përfshirë, pra, kohën e para luftës dhe pas luftës.

Gjykata Speciale ishte themeluar pas publikimit të një raporti nga senatori zviceran, Dick Marty, i cili kishte shkruar se gjatë luftës në Kosovë janë kryer krime dhe është bërë trafikim me organe nga luftëtarët vendas.

Deri tash janë rreth 250 ish-luftëtarë të UÇK’së që janë ftuar në cilësi të ndryshme për të dhënë përgjigje e duke heshtur para prokurorëve të Speciales lidhur me pretendimet për krime lufte të kryera gjatë dhe pas luftës.

Udhëheqësit kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së janë ftuar nga Specialja përfshirë Ramush Haradinajn, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Rrustem Mustafa, Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Kadri Veselin, Shukri Bujën, Sokol Bashotën, Sokol Dobrunën. Kanë mbetur pa u ftuar Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti. /express/