Islam Osmani: Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit
Një nga konceptet e pashmangshme që lidhet me fenomenin e besimit, është përgjithësisht nocioni i xhamisë. Domethënë, besimi në thelbin e tij është marrëdhënie midis Perëndisë dhe besimtarëve që e adhurojnë Atë.
Kjo marrëdhënie gjithmonë lidhet, në një farë mënyre, me vendin ku shfaqet adhurimi ose ibadeti, që quhet “tempulli i Perëndisë” ose “shtëpia e Perëndisë”.
Pra, xhamia është vendi ku Zoti është i pranishëm dhe është më afër besimtarëve.
Islam Osmani, publicist nga Gjilani, ka botuar një libër për xhamitë e Gjilanit, me titull “Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit”, ku ka prezantuar xhamitë dhe imamët, që nga gjeneza e tyre e këndej, shkruan portali mediafokus.info.
“Në historikun e saj, xhamia daton që nga ekzistenca e njeriut. Xhamia e parë e ndërtuar në tokë është Qabja (Kaba), vend i shenjtë që vizitohet nga miliona besimtarë islamë në vit”, thotë ai.
Por, një vështrim më të gjerë mbi historikun e besimit dhe xhamive, si vende ku praktikohet besimi, Osmani e ka bërë për xhamitë e Gjilanit.
“Për të gjitha objektet fetare në Gjilan,të dhëna e dokumente të shumta historike për shqiptarët dhe trojet tona ekzistojnë në arkivat e Turqisë, të cilat janë ende të pashfrytëzuara e të pastudiuara deri më sot”, thotë Osmani.
Ndërtimi i xhamive në trojet shqiptare, në Kosovë e posaçërisht në territorin e Anamoravës, fillon nga fundi i shekullit XIV, sidomos në fillim të shekullit XV, me ardhjen e turqve në Kosovë, menjëherë pas Betejës së Kosovës, në vitin 1389.
Në bazë të gojëdhënave, ndër xhamitë e para në këtë trevë (Gjilan) është ajo e fshatit Dobërçan, që daton nga viti 1422 (1526) e të cilën e dogjën dhe e shkatërruan deri në themel pushtuesit serbo-sllav.
Përpos saj, xhami të vjetra qindravjeçare janë edhe xhamia Atik në Gjilan (1606), xhamia e Pogragjës (1620), ajo e Pidiqit (1645), e Malishevës (1730), e Bresalcit (1735), e Përlepnicës (1750), e Stançiqit (1750), e Sllakovcit (1770), e Verbicës së Zhegovcit (1782), e Muçibabës (1783) etj.
Numri më i madh i xhamive të ndërtuara në territorin e komunës së Gjilanit, 21 sosh, janë të kohës së Perandorisë Osmane.
Gjatë periudhës së sundimit të Mbretit Karagjorgjeviç, nga viti 1913 e deri në vitin 1944, janë ndërtuar vetëm 4 xhami.
Gjatë periudhës së monizmit, nga viti 1945 e deri në vitin 1999, janë ndërtuar 6 xhami.
Pas çlirimit të vendit, nga viti 1999 e deri më sot, janë ndërtuar 14 xhami të reja dhe janë rindërtuar nga themeli edhe 24 të tjera në vendin e ish xhamive të vjetra, të shkatërruara nga lufta e vitit 1999.
Radhitja e xhamive në libër është bërë në bazë të vjetërsisë së tyre.
“Është detyrë e të gjithë neve që të përkujdesemi për të kaluarën tonë historike dhe ajo të përcillet tek brezat e ardhshëm”, thotë autori i librit, Islam Osmani
Profesori Ramiz Zekaj, recensent i librit, thotë se autori Islam Osmani ka eksploruar dhe hulumtuar në çdo detaj të këtij mozaiku, ka shfletuar faqe të tëra librash dhe revistash, ka gërmuar në arkiva e biblioteka, si një bletë punëtore që fluturon në mijëra lule për të mbledhur nektarin.
Objektet e kultit islam janë kujtesë e historisë, janë mesazhe që na vijnë nga e shkuara dhe që na ftojnë në një botë transcendentale e sublime.
Si shprehje e identitetit islam, xhamitë në atë trevë u përballën më vandalizma e sulme të hordhive antishqiptare.
Si shprehje e qëndresës heroike, gjilanasit i rindërtuan ato për herë të dytë e të tretë dhe asnjëherë që prej shekullit XV, territoret e Gjilanit nuk kanë mbetur pa xhami.
Si shprehje e dimensionit kulturor, xhamitë e territorit të Gjilanit ndër vite kanë shërbyer si shkolla e mejtepe, ku u arsimuan me dije fetare dhe shkencore plejada gjilanase.
Si shprehje e tiparit social të Islamit, xhamitë gjilanase shërbyen si vatra vëllazërimi dhe harmonie, si qendra tubimesh dhe kuvendesh të rëndësishme të aspektit patriotik, thotë profesori, dr Ramiz Zekaj.
Ndërkaq, dr VedatSahiti thotë se nismae Osmanit për të dokumentuar xhamitë e komunës së Gjilanit, është me vlerë të madhe dhe me interes shkencortë veçantë për trojet shqiptare në përgjithësi.
Monografia “Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit” ofron një gamë të gjerë të informacionit për xhamitë nëkëtë regjion.
“Njerëzit po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për unitetin e vlerave njerëzore, si një trashëgimi e përbashkët”, thotë Sahiti. /Mediafokus

