Ismajli: Gatishmëria e personelit shëndetësor është në nivelin maksimal
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i shoqëruar nga drejtori për Shëndetësi, Selami Xhemaili, ka vizituar Qendrat e Mjekësive Familjare në fshatin Malishevë, Uglar dhe në Pogragjë.
Personeli i këtyre qendrave mjekësore, është vazhdimisht në detyrë për ta luftuar pandeminë Covid-19, në fazën fillestare.
“Është përkushtim maksimal i mantelbardhëve për të ofruar shërbime shëndetësore nëpër të gjitha fshatrat”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Edhe kryetarët e Këshillave të fshatrave po punojnë për t`u dalë në ndihmë të këtyre banorëve, me të gjitha kapacitetet e tyre, me vullnetarët dhe donatorët dhe Qendrën Emergjente.
“Këshillave të këtyre fshatrave iu premtova që jemi së bashku në këtë rrugë, bashkërisht do t’i trajtojmë kërkesat dhe nevojat e tyre, në të mirë të gjithë banorëve”, ka potencuar ai.
Ismajli ka falënderuar të gjithë mjekët dhe infermierët, që janë në frontin e parë të kësaj beteje, për punën dhe sakrificën e tyre.
“Lusim Zotin që të na mundësojë një jetë të qetë dhe larg kësaj pandemie. Vetëm të bashkuar mund t`ia dalim”, përfundoi Ismajli./Mediafokus.info/



