Ismajli: Gjilani po fundoset çdo ditë e më shumë në kaos dhe neglizhencë
Arbër Ismajli (LDK), njëherësh kandidat për kryetar Komune në Gjilan, ka thënë në një postim në profilin e tij se Gjilani po fundoset çdo ditë e më shumë në kaos dhe neglizhencë, duke shtuar se rrugët e hapura dhe pluhuri janë bërë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve.
Janë nisur disa punë pa kokë e pa fund, vetëm për sy e faqe. Kaos urban, dëmtim i bizneseve dhe shëndet i rrezikuar nga ndotja ekstreme me pluhur.
Këto nuk janë projekte zhvillimi, por tortura të përditshme për qytetarët tanë.
Asnjë afat nuk jepet nga qeverisja lokale dhe askush nuk jep llogari për këtë katrahurë.
Në këtë gjendje, po na zë edhe sezoni i mërgimtarëve.
Siç duket, qeverisja lokale po dëshiron ta shpërfaq edhe para tyre këtë katrahurë dhe gjendje të mjerueshme të rrugëve në qytet.
Kështu nuk ndërtohet një qytet, kështu vetëm shkatërrohet!
Mjaft më me eksperimentime mbi kurrizin e taksapaguesve të Gjilanit.
Përgjegjësit të flasin me vepra, e jo me justifikime, ka thënë Ismajli!

