Ismajli ka një mesazh për transportuesit: Kërkesat i zgjidhim bashkë në tavolinë, jo në rrugë
Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, ka kërkuar nga transportuesit që të heqin dorë nga protestat në rrugë dhe bllokimi i qytetit dhe t`i kthehen dialogut në tavolinë, sepse tavolina është vendi ku zgjidhen problemet.
Ky është postimi i Ismajlit:
E nderuara Shoqatë e transportuesve, ne i kuptojmë plotësisht kërkesat e juaja si shumë të arsyeshme, të cilat kryesisht lidhen me nivelin qëndror të qeverisjes së Republikës.
Peronizimi është i pamundur në këto momente, sepse mbetet burim i vetëm për funksionalizimin e stacionit të autobusëve. Subvencionimi juaj dhe mbyllja e stacionit, nuk është formë e mirë e reagimit, e cila nuk i kontribuon interesave të juaja, as të qytetarëve tanë.
Në anën tjetër, ju informojmë se inspektorët tanë, bashkë me Policinë e Republikës, janë vazhdimisht në terren kundër taksive ilegale, në mënyrë që mos t`ju dëmtojnë juve si shoqatë, por edhe taksitë legalë.
Protesta juaj e sotme, me sirena të mëdha nëpër qytet dhe bllokimi i komunikacionit, është formë e pa pranueshme dhe se shqetësimet e reagimet qytetare ndaj kësaj forme janë të mëdha.
Sirenat dhe bllokimi i komunikacionit të qytetit, është formë demode e ngritjes së shqetësimit.
Do të vazhdojmë të jemi bashkë në tavolinë, deri në arritjen e realizimit të kërkesave tuaja, të cilat janë në kompetencë të Komunës së Gjilanit, e jo në këtë formë e cila nuk na shpie askund!

