Ismajli mohon se një familje serbe në Cërnicë ka ndërmarrë veprime për t`u larguar nga fshati

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit ka mohuar pretendimet e këshilltarit Milivoje Stojanoviq, sa i përket një incidenti të mëhershëm mes dy fqinjëve në Cërnicë si dhe rrënimit të një shtëpie të vjetër atje.

Ismajli ka thënë se nuk është e vërtetë që një familje serbe në Cërnicë ka ndërmarrë veprime për t`u shpërngulur nga fshati.

Bëhet fjalë për një rast plotësisht të izoluar, që ka të bëjë me një incident ndërfqinjësor, raporton mediafokus.info.

“Ne si institucione komunale i kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe unë personalisht e kam vizituar familjen ditën e parë që ka ndodhur rasti”, tha Ismajli.

Më tej, ai sqaroi se bëhet fjalë për një rast të izoluar që ka ndodhur mes dy familjeve, të cilat deri atë ditë kanë qenë në marrëdhënie të mira fqinjësore.

Ismajli tha se institucionet komunale i kanë ofruar ndihmën e vazhdueshme kësaj familje dhe nuk është e vërtetë se ata janë duke e lëshuar Cërnicën.

“Ne kemi ofruar çdo asistencë që ka kërkuar familja dhe do të vazhdojmë t`ia ofrojmë këtë ndihmesë edhe në të ardhmen”, ka thënë Ismajli.

Sa i përket rrënimit të një shtëpie, ai sqaroi se kërkesa ka ardhur nga këshilli i fshatit Cërnicë dhe bëhet fjalë për një objekt të shkatërruar, që ishte bërë strehë për njerëz të këqij atje.

Objekti ka qenë i ndërtuar në pronë komunale dhe familja që pretendon se kjo pronë ishte e saj, jeton në fshat.

“Në këtë rast janë respektuar të gjitha procedurat dhe nuk ka hapësirë për shqetësime të tilla” ka thënë Ismajli./mediafokus.info