Ismajli: Një pjesë e burgut të vjetër në Gjilan do të konservohet

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, ka dalë me një postim në profilin e tij, ku sqaron se një pjesë e burgut në Gjilan, do të konservohet. 

Sot gjatë ditës, opozita e braktisi seancën e Kuvendit, shkaku i vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore si dhe rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e planeve rregulluese urbane, ku ndër të tjera parashihet edhe rrënimi i objektit të Komunës dhe atij të policisë, për të ndërtuar në këtë hapësirë një objekt të ri të administratës komunale.

Postimi i plotë:

Projekti i ndërtimit të Administratës Komunale është një projekt i shkëlqyeshëm, me të gjitha kushtet e nevojshme për një administratë moderne për qytetarët, ku do të bëhet konservimi i një pjese të vogël të burgut.

Ky projekt i cili do ta ruaj një pjesë të vogël të historisë, do të jetë shumë modern dhe funksional, ku të gjitha shërbimet administrative të komunës do të kryhen në një vend, e jo në objekte të ndryshme.

Kjo përveç se, do t’i ndihmojë Komunës së Gjilanit për t’i kryer punët në mënyrë efikase dhe të shpejtë, ku dhe qytetarëve do t’ia kursejë kohën, do t’ia rrisë efikasitetin e shërbimeve, si dhe do të rritet mbikçyrja, përgjegjësia dhe rezultatet.

Komuna, me infrastrukturë të mirë moderne, do të jetë model instalimi i një kulture më ndryshe qeverisëse, gjithmonë në interes të zhvillimit të jetës publike të qytetarëve tanë.

Çdo llojë ngërçi mental i kohës së vjetër për interesa partiake, do na ngadalësojë zhvillimin infrastrukturorë të komunës, e cila duhet të jetë model zhvillimi i shërbimeve krahas vendeve të Europës.