Ismajli: Qeveria në detyrë duhet të bëhet më serioze dhe të shkojë faqebardhë

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës në Gjilan ka komentuar gjendjen aktuale politike dhe pandemike në Kosovë, duke i sugjeruar qeverisë në detyrë që ta pranojë vullnetin e popullit dhe të shkojë faqebardhë.

Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë Ismajli ka kërkuar të mos i shtrëngojë më tej bizneset, sepse edhe ashtu janë vetëm një hap larg falimentimit.

“Qeveria në detyrë duhet të bëhet më serioze dhe të shkojë më faqebardhë nga verdikti final i sovranit.

Ministria e Shëndetësisë nuk duhet t’i pengojë edhe më tutje gastronomët, bizneset dhe qytetarët, sidomos pas gjendjes shkatërruese socio-ekonomike nga pandemia.

Politikanët tanë nuk duhet vënë represion ndaj këtyre kategorive, e sidomos ndaj gastronomëve, sepse presioni i bizneseve dhe qytetarëve është akumuluar pas grumbullimeve të thirrura nga vetë grupet politike nëpër fushatë.

Durimit i ka ardhur fundi dhe gastronomët, qytetarët dhe bizneset nuk presin më gjatë. Presioni ndaj qytetarëve përkthehet në presion ndaj qeverisë.

Është momenti i fundit kur duhet ta ktheni kokën nga ky sektor e ta shikoni si një aset të vendit i cili eshte një hap para falimentimit!”, ka thënë Ismajli.

Arbër Ismajli është kandidati më serioz për ta pasuar Lutfi Hazirin në krye të Degës së LDK-së në Gjilan, nëse ky zgjidhet kryetar i LDK në qendër.