Izolohet në Klinikën Infektive një pacient i dyshuar për lijën e majmunëve
Një pacient, i dyshuar me lijën e majmunit, ndodhet nën mbikëqyrje epidemiologjike.
Ministria e Shëndetësisë njofton se një 69-vjeçar për momentin është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK, derisa gjendja e tij është e qëndrueshme.
“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, më datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë me Lijën e majmunëve (Monkeypox). Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit. Është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK më datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, njofton MSH.
Sipas Ministrisë, po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.
“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, njofton tutje MSH.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se për çdo informatë të re opinioni publik do të informohet në kohë reale dhe se situata është e qetë dhe stabile.

