Izraeli planifikon t’i zhvendosë të gjithë palestinezët në një “qytet humanitar”
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka bërë të ditur se ka udhëzuar ushtrinë të përgatisë një plan për zhvendosjen e plotë të popullsisë palestineze në Gaza drejt një kampi në jug të territorit.
Sipas raportimit të BBC-së, Katz ka deklaruar se dëshiron të krijojë një “qytet humanitar” mbi rrënojat e Rafahut për të strehuar fillimisht rreth 600 mijë palestinezë, e më pas të gjithë popullsinë prej 2.1 milionë banorësh.
“Qëllimi është që të sillen njerëzit brenda pas kontrolleve të sigurisë për t’u siguruar që ata nuk janë njerëz të Hamasit”, ka thënë Katz.
Ai ka shtuar se nëse plani do të miratohet, ndërtimi i këtij qyteti do të fillojë gjatë armëpushimit 60-ditor, i cili është në proces negocimi mes Izraelit dhe Hamasit.
Mirëpo, një avokat izraelit për të drejtat e njeriut ka ngritur alarmin për pasojat e këtij plani. Michael Sfard e ka cilësuar atë si një veprim që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
“Bëhet fjalë për transferimin e popullsisë në skajin jugor të Rripit të Gazës në përgatitje për deportim jashtë Rripit”, ka thënë ai, duke e quajtur planin një “plan operacional për krime kundër njerëzimit”.

