Ja çka deklaroi para gjyqit sulmuesi në xhaminë e Tiranës
Gjykata i ka shqiptuar masën e sigurisë “arrest me burg” Rudolf Nikollajt, i cili tre ditë më parë plagosi në xhami 5 persona.
Përpara trupit gjykues ai ka pranuar se ka probleme të shëndetit mendor dhe se për këtë merrte dhe mjekime. Ai më tej ka deklaruar se personat e kishin përndjekur.
“Ilaçet i kam marrë, por kishte raste që i harroja. Nuk desha të bëj atë që bëra, por ata më kanë ndjekur dhe ky fakt është i vërtetë”, tha 34-vjeçari, raporton panorama.com
Nga ana e tij, avokati ka deklaruar se vendosja e kësaj mase sigurie është e papërshtatshme dhe se klienti ka probleme të shëndetit mendor.
Sulmi që ndodhi të hënën në xhaminë “Dine Hoxha”, ishte një ngjarje në kufijtë e një akti terrorist, por që në fakt deri tani nuk po rezulton i tillë. Duket më shumë si një ngjarje e kryer nga një person, që sipas të gjitha të dhënave, nisur edhe nga ato që thonë familjarët e tij, vuan nga probleme të shëndetit mendor. Rudolf Nikollaj, një 34-vjeçar, familja e të cilit i përket fesë së krishterë, ndërsa ai vetë është konvertuar në mysliman, u fut dy ditë më parë në xhaminë “Dine Hoxha”, te Rruga e Kavajës në Tiranë, jo për t’u falur, por për të sulmuar besimtarët. Fillimisht ai goditi me thikë një besimtar që në fakt punonte edhe në picerinë aty pranë, me të cilin u përball në derë të xhamisë. Më pas u fut brenda duke plagosur edhe katër të tjerë, të gjithë të rinj, që po faleshin. Të tjerë besimtarë ndërhynë, duke arritur t’i heqin thikën nga dora e ta nxjerrin jashtë. Më pas, jashtë xhamisë, ai u neutralizua nga kalimtarë e besimtarë të tjerë, që “e arrestuan”, derisa aty mbërriti Policia.
Sulmi me thikë i ditës së hënë në xhaminë “Dine Hoxha”, në Tiranë i ka kaluar tashmë për hetim Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Çështja në Prokurori është referuar për financim të terrorizmit që në vendin tonë dënohet me 15 vite burg ose burgim të përjetshëm apo gjobë 5-10 milionë lekë. Sipas “News 24”, Rudolf Nikollaj, në momentet e para kur është shoqëruar ka deklaruar se: “Myslimanët duhet të ndëshkohen”. Mësohet se nga 5 të plagosurit, 4 kanë lënë spitalin, kurse një tjetër, 26- vjeçari Kleon Jaupaj i është nënshtruar një operacioni, pasi ka dëmtime në pjesën abdominale shumë pranë veshkës.


 
 
 
						 
						