Ja çka duhet të bëni 3-4 ditët e para nëse keni kollë dhe temperaturë

Qytetarët nuk duhet të alarmohen nëse shfaqin simptoma, si temperaturë apo kollë. Në 3-4 ditët e para, me këto simptoma, nuk ka nevojë të shkojnë tek mjeku i familjes, por të trajtohen me aspirinë apo dhe antigripale.

Kështu këshillon mjeku i njohur Pëllumb Pipero. Sipas tij, nëse këto simptoma zgjasin më shumë se 3-4 ditë, atëherë duhet të kontaktohet mjeku i familjes.

“Unë do t’i këshilloja qytetarët që në këtë periudhë të mos nxitohen dhe të alarmohen nëse kanë temperaturë apo kollë për disa ditë. Këto janë shenja edhe të gripit. Nëse kjo periudhë zgjat më shumë se 3-4 ditë duhet të konsultohen me mjekun e familjes.

Përpara se të shkojnë tek mjeku i familjes, qytetarët duhet të trajtohen me antigripalë dhe aspirina dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje. Kaq mjafton, krahas vitaminës C për 3-4 ditët e para. Në asnjë mënyrë mos përdorni antibiotikë pa konsultën e mjekut të familjes apo dhe mjekëve të tjerë. Bëjmë një gabim që na kushton më pas” – tha Pipero.