Ja çka kishin kërkuar banorët e Kishnapoles nga kryetari i Komunës në vitin 2002
Retro (12.08.2002)
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe komandanti i KFOR-it amerikan në kampin “Montith”, koloneli Hubner kanë vizituar Malësinë e Kishnapoles, pjesën më jugperëndimore të kësaj komune, ku jetojnë 152 familje dhe pasi kanë marrë pjesë në një tubim me banorët e atjeshëm, në lokalet e shkollës fillore “Afërdita”, kanë vizituar pastaj edhe disa shtëpi e lagje të Kishnapolës e Sllakocit.
Aktivistët Qerim Lipovica, Baki Bajrami, Rasim Bajrami, Ramadan Mehmeti dhe disa nga kryefamiljarët që u vizituan, kanë pasqyruar segmente të jetës në këtë zonë të thellë malore.
“Ne kemi nevojë për shumë gjera, por hallin më të madh e kemi me rrugën, e cila nga drejtimi i Ramjanit, është e ndaluar nga KFOR-i, tash tri vjet, ndërsa nga ana e Gjilanit, është më shumë e dëmtuar”, tha në emër të banorëve të Malësisë, Qerim Lipovica, këshilltar në Kuvendin komunal.
Pasi i ka dëgjuar me shumë vëmendje të gjitha diskutimet e këtyre banorëve, që jetojnë pak më larg se të tjerët nga qyteti, Lutfi Haziri, kryetar i komunës i ka inkurajuar ata që të mbeten në vendlindjet e tyre, sepse edhe kjo anë do të ketë një të ardhme shumë më të mirë se tani, ngase në këtë drejtim parashihet të shtrihet rruga që do të lidhë Kosovën me korridorin e tetë dhe ky është një projekt madhor që do të bëhet nga Agjencinoi Evropina për Rindërtim, ka thenë Haziri.
Infrastruktura e banimit, problemet sociale dhe papunësia, janë gjera të cilat e preokupojnë sot gjithë Kosovën dhe për t`i zgjidhur të gjitha këto, duhet më shumë kohë dhe durim. Asgjë nuk mund të bëhet për një ditë, u tha banorëve të këtyre fshatrave, Lutfi Haziri, duke i ftuar ata që ta çmojnë dhe ruajnë me shumë kujdes çdo investim që bëhet, sepse Kosova nuk ka para që të rinovojë për çdo vit infrastrukturën shkollore, shëndetësore a të banimit.
Këto vërejtje, ai i bëri në raport me njoftimet e drejtorit të shkollës, i cili tha se çatia e këtij objekti ishte meremetuar vitin e kaluar, por ajo ka filluar të pikojë menjëherë, sepse kryesi i punëve kishte futur material shumë të dobët.
Ai ka përkujtuar se në Kosovë ka ende fshatra ku nuk është ndërtuar asnjë shkollë, asnjë shtëpi dhe nuk është hapur asnjë rrugë, në këto tri vite pas luftës, ndërsa komuna e Gjilanit ka përfituar projekte më shumë se çdo rajon tjetër.
Ju thatë vetë se këtu janë ndërtuar 51 shtëpi të reja, të cilat i kishte shkatërruar lufta dhe janë meremetuar disa të tjera. Ndërsa tash ne po punojmë që të nxisin programe për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë në këtë zone, e cila ofron kushte shumë të mira. Ju do të përfitoni edhe nga fondi për sanimin e pasojave të tërmetit, ndonëse jeni më pak të prekur se disa vendbanime tjera.
“Sot do t`i bëjmë dy shtëpi, nesër edhe tri të tjera dhe aq sa mundemi realisht, por është e rëndësishme që ju nuk do të jeni jashtë prioriteteve”- ka premtuar Haziri.
Sa i përket rrugës në drejtim të Ramjanit, Haziri u tha banorëve të këtyre fshatrave se KFOR-i ka dhënë premtime se ajo do të renovohet dhe do të hapet në tetor.
Edhe koloneli Hubner, pasi ka përkujtuar qytetarët e Malësisë së Kishnapoles se misioni kryesor i tyre në Kosovë janë paqja dhe siguria, ka thenë se “ne jemi të vendosur të punojmë së bashku me ju për ta bërë një Kosovë më të mirë”.
Por, nuk duhet të harroni se nga 11 shtatori i vitit 2001, ne jemi të përqendruar më shumë në luftën kundër terrorizmit dhe njerëzve që duan ta shohin perëndimin në kaos e shkatërrim. Janë edhe disa probleme tjera në rajon, të cilat na kushtëzojnë që të orientohemi më shumë në sferën e sigurisë, që është detyra jonë kryesore dhe më e rëndësishme për rajonin, tha koloneli Hubner.
(Sot, Kishnapola ka rrugën dhe rrugicat e asfaltura, shkollën dhe infrastrukturënn tjetër)./Mediafokus.info




