Ja sa nxënës e mësimdhënës në Prishtinë janë prekur nga COVID-19
Në komunën e Prishtinës që nga fillimi i vitit të ri shkollor, janë 85 nxënës që janë infektuar me COVID-19, ndërsa janë edhe mbi 45 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitiv.
Megjithatë Drejtoria e Arsimit në Prishtinë vlerëson se gjendja me pandeminë është e menaxhueshme.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, bënë të ditur se aktualisht janë 6 shkolla që procesin mësimor janë duke e mbajtur online.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKShPK-në dhe në momentin që e kemi një nxënës të infektuar atëherë gjithë klasa po udhëzohet që të shkojë në mësimin online dhe kjo është ndoshta mënyra më e mirë dhe përhapja është më e ngadalshme për shkak të menaxhimit të përbashkët që jemi duke e bërë me IKShPK-në. Për momentin mund të themi që është duke shkuar mirë, por ne jemi dëshmitar të rritjes së rasteve brenda ditës, nëpër shkolla janë duke u respektuar protokollet. Ne si DKA jemi cdo ditë në terren dhe i shohim që protokollet brenda shkollës respektohen”, thotë ajo.

