Ja sa për qind e bizneseve në Kosovë punëtorët i paguajnë me para të gatshme

Rreth 60 për qind e bizneseve në Kosovë thonë se punëtorët e tyre tërësisht i paguajnë me para në dorë, kurse 15 për qind e kompanive kanë raportuar se kompensimin e vartësve të tyre i paguajnë pjesërisht me para në dorë.

Kështu thuhet në raportin e publikuar nga Iniciativa e Kosovës për Stabilitet mbi mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës në vend, shkruan Telegrafi.

“Jashtë informalitetit të punës së pa raportuar, informaliteti në kompensim është forma më e shpeshtë që besohet të jetë e pranishme në treg. Një përqindje lartë e të anketuarve, apo 57.5 për qind raportojnë se e paguajnë personelin e tyre plotësisht me para të gatshme. 15 për qind gjithashtu raportojnë se i paguajnë ata pjesërisht me para të gatshme, ndërsa vetëm 27.5 për qind e kompanive raportojnë se punëtorët pagat e tyre i marrin përmes transferave bankare”, thuhet në raport.