Ja sa vite burg rrezikon polici që e vrau Klodian Rashën

Prokuroria e Tiranës ka ndryshuar akuzën për efektivin e policisë, Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau Klodian Rashën në mëngjesin e datës 8 dhjetor.

Sipas burimeve, Prokuroria ka ngritur akuzën për “vrasje me dashje”, me 31-vjeçarin që rrezikon deri në 20 vjet burg.

Ndryshimi i akuzës, sipas prokurorisë është bërë për shkak se efektivi ka qëlluar dy herë me armë zjarri ndaj 25-vjeçarit.

“Kemi siguruar provën kryesore, pamjet filmike ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë. Filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës. Këndi i goditjes, ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimës”, – thekson prokuroria.

Ndërkohë, më parë akuza që rëndonte mbi Hajdarajn ishte ajo e “tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes”, me anë të së cilës rrezikonte vetëm 7 vite burg.

Ndryshe nga sa u zbardh në dëshminë e kolegut të autorit të dyshuar, i cili ishte me të natën e krimit dhe tha se mes viktimës dhe efektivit Hajdaraj kishte përplasje fizike, prokuroria thotë se nuk ka pasur përdorim dhune.

“Nisur nga reagime të ndryshme, në mediat audio-vizive dhe ato të shkruara, në lidhje me pretendimet për konflikt fizik, keqtrajtim të kufomës, përpara ndjekjes, gjatë ndjekjes dhe pas goditjes me armë zjarri nga autori i ngjarjes apo persona të tjerë, e ndjejmë me vend të sqarojmë, duke respektuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për sekretin hetimor, se në bazë të provave të pakundërshtueshme, të administruara, nuk ka pasur përdorim dhune”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e djeshëm të prokurorisë, transmeton noa.

Klodjan Rasha u qëllua për vdekje mesnatën e datës 8 dhjetor nga polici Nevaldo Hajdaraj, për shkak se nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Vrasja e tij shkaktoi një valë protestash në vend, ku kërkohej drejtësi për viktimën, ndërkohë që një pjesë e manifestimeve precipituan në akte dhune.