Janari i burrit që sakrifikoi gjithçka për lirinë e kombit të tij

Në janar kanë lindur dhe kanë rënë burra të mëdhenj të kombit. I tillë ishte edhe Jonuz Musliu, i cili ndërroi jetë para shtatë vjetësh.

Musliu ishte kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit dhe i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ka drejtuar Këshillin Politik të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për liri në Luginë.

Pas përfundimit të konfliktit, në pranverën e vitit 2001 me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar Musliu themeloi Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe u përfshi në jetën politike në Luginën e Preshevës.

Kontributi i Musliut në UÇK, TMK, UÇPMB, e më pas në politikë, ka qenë i pazëvendësueshëm. Ai ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare.

Jonuzi ishte frymëzim për familjen, për shqiptarët në Luginë dhe për mbarë kombin shqiptar, në gjithë jetën e tij.

Emrin Jonuz e kishte trashëguar nga gjyshi i tij, i cili që në vitet e dyzeta të shekullit të kaluar e sakrifikoi jetën për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve.

Ai u pushkatua nga ata që shqiptarët i donin të robëruar.

Edhe Jonuzi, qysh si i ri filloi të jap modelin e sakrificës për liri. Kur të gjitha rrugët për shqiptarët po bllokoheshin, ai me bashkëveprimtarë arriti të organizohet për të mos iu nënshtruar robërisë.

Pak kohë pasi u martua, ra në burg. Dhe ai nuk u burgos pse bëri padrejtësi, por pse kërkoi liri.

Edhe pas burgut ai e vazhdoi rrugëtimin e nisur që në vegjëli.

Me bashkëveprimtarë filloi organizimin e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse e kishte të qartë që kjo kishte ngelur e vetmja rrugë për lirinë e shqiptarëve.

Lirinë e Kosovës e përjetoi si çlirimin më të madh shpirtëror, por jo si liri të plotë, sepse Kosova Lindore, atdheu i tij dhe  bashkëkombësve të tij ishin ende të robëruar.

Dhe pikërisht janari ishte fillimi i një beteje të re, Betejës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e cila luftoi për gati dy vite, deri sa u arrit një copë lirie, me Marrëveshjen e Konçulit.

Për gati dy vite, Jonuzi e udhëhoqi politikisht këtë ushtri çlirimtare duke organizuar e promovuar me faktorë kombëtarë e ndërkombëtarë qëllimin më madhor të një populli, siç është liria

Pas marrëveshjes së vitit 2001, pasi gjerat nuk po shkonin në drejtimin e duhur, organizohet edhe politikisht për të kërkuar të drejtat elementare të shqiptarëve në Luginë.

Jonuz Musliu i dha këtij vendi e këtij kombi më të mirën e mundshme nga vetja.

Jonuz Musliu, siç ka thënë i biri i tij, Shqiprimi, erdhi dhe iku në janar dhe për familjen e tij dhe shqiptarët në Luginë, Janari gjithmonë ka me qenë muaji që frymëzon lirinë. /Mediafokus.info