Jasharaj vendos nga Durrësi për fillimin e grevës në arsim
Mediat në Kosovë raportuan sot se Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka vendosur për fillimin e grevës në arsim më 2 prill nëse Qeveria e Kosovës nuk i merr parasysh kërkesat e saj.
“Këshilli Drejtues në mbledhjen e jashtëzakonshme e ka parë të arsyeshme sepse Ligji i Pagave po shihet se ka tendenca të mos bëhet me kohë, nuk dihet se kur do të shkoj në Kuvend për votim. Ne kemi insistuar që pas ngritjes së vazhdueshme të çmimeve në të gjithë artikujt elementar ne kemi kërkuar nga Qeveria Kurti që të mbështesë të punësuarit në sektorin e arsimit me nga 100 euro në pagë. Konsiderojmë që është e udhës që Qeveria Kurti të intervenojë ti ndihmojë punëtorët e arsimit dhe të tjetër me një shtesë prej 100 eurove dhe kjo të vlejë deri sa të filloj implementimi i Ligjit të Pagave pas marrëveshjes me sindikatat. Pagat aktuale janë zbehur tani për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe konsiderojmë që qeveria Kurti duhet të intervenojë”, u shpreh Jasharaj, raporton telegrafi.
Të mos keqkuptohemi. Kërkesa e Sindikatës është e arsyeshme. Edhe portali Mediafokus.info pajtohet plotësisht me kërkesat e arsimit, por duhet nënvizuar se këtë vendim, Jasharaj e ka komunikuar nga Durrësi, ku po bënte kokrrën e sefasë.
Të flasësh e vendosësh nga hotelet luksoze të Durrësit, në emër të mijëra mësimdhënësve kosovarë, të cilët vërtet meritojnë më shumë, duket absurde në ditët e sotme dhe nuk ngjet me një solidaritet të sinqertë me arsimin.

