Jataku i Mulla Idris Gjilanit në Gjyrishec: kujtesë historike, sakrificë familjare dhe detyrim institucional

Izmi Zeka

Hyrje

Në historinë e re të Kosovës, figura e Mulla Idriz Gjilanit zë një vend të veçantë si dijetar, organizator dhe strateg në periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para të regjimit jugosllav.

Megjithatë, përtej rolit të tij publik dhe veprimtarisë së dokumentuar, ekziston një kapitull thelbësor i jetës së tij që mbetet pjesërisht në harresë: qëndrimi i tij i fshehtë për afro pesë vite (mars 1945 – 26 nëntor 1949) në Gjyrishec të Kamenicës, në shtëpinë e familjes Sadiku.

Ky punim synon të sistemojë dhe zgjerojë këtë episod historik, duke e trajtuar jo vetëm si fragment biografik, por si pjesë organike të historisë së rezistencës shqiptare nën regjimin jugosllav dhe si shembull të heroizmit civil – atij të “jatakut”, figurë që shpesh mbetet në hije të protagonistëve kryesorë.

Konteksti historik: ndjekja e elitës kombëtare pas vitit 1945

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kosova u përfshi në strukturën federative të Jugosllavisë socialiste. Regjimi i ri komunist ndërmori një proces të ashpër konsolidimi të pushtetit, duke eliminuar sistematikisht çdo ide kombëtare apo politike.

Figurat që identifikoheshin me rezistencën kombëtare shqiptare, me konceptin e Shqipërisë etnike apo me kundërshtimin e hapur ndaj rendit të ri, u konsideruan rrezik potencial. Shërbimi sekret jugosllav zhvilloi operacione të gjera ndjekjeje, arrestimesh dhe represioni.

Në këtë klimë terrori institucional, qëndrimi i Mulla Idris Gjilanit në ilegalitet nuk ishte zgjedhje taktike, por domosdoshmëri për idenë e Shqipërisë etnike.

Qëndrimi në shtëpinë e familjes Sadiku: pesë vite në ilegalitet

Nga marsi i vitit 1945 deri në fund të vitit 1949, Mulla Idriz Gjilani qëndroi i fshehur në shtëpinë e familjes Sadiku në Gjyrishec të Kamenicës. Kjo periudhë përbën një nga fazat më dramatike dhe më pak të studiuara të jetës së tij.

Familja Sadiku:
• e strehoi dhe e mbajti me ushqim në kushte të vështira ekonomike;
• ia ruajti dhe organizoi kontaktet me bashkëveprimtarë;
• rrezikoi ekzistencën e vet familjare për ta mbajtur larg strukturave të UDB-së.

Duhet theksuar se regjimi i kohës ndëshkonte rëndë jo vetëm individin e kërkuar, por edhe familjen që e strehonte. Burgosjet, vrasjet dhe shkatërrimi ekonomik ishin forma të zakonshme represioni. Në këtë kontekst, veprimi i familjes Sadiku tejkalon solidaritetin personal dhe hyn në kategorinë e heroizmit civil me vetëdije të plotë për pasojat.

Jataku si figurë historike: heroizëm i heshtur

Në historiografinë shqiptare, vëmendja shpesh përqendrohet te figura kryesore – luftëtari apo organizatori politik. Megjithatë, historia e rezistencës nuk ndërtohet vetëm nga ata që mbajnë armën, por edhe nga ata që krijojnë kushtet për mbijetesën e rezistencës.

“Jataku” përfaqëson një kategori thelbësore të kësaj historie. Ai është hallkë e pazëvendësueshme e zinxhirit të qëndresës. Rasti i familjes Sadiku në Gjyrishec është ilustrim tipik i kësaj figure: një familje që, në kushtet e terrorit shtetëror, zgjodhi nderin, besën dhe përkushtimin kombëtar mbi sigurinë personale.

Dimensioni intelektual i qëndrimit në ilegalitet

Qëndrimi i Mulla Idriz Gjilanit në Gjyrishec nuk ishte vetëm fshehje fizike. Sipas dëshmive, ai gjatë kësaj kohe:
• dispononte libra të ndryshëm, përfshirë edhe nga shkencat ekzakte;
• hartoi analiza dhe shkrime;
• mbajti kontakte me individë që kundërshtonin regjimin jugosllav.

Kjo dëshmon se ilegaliteti nuk e paralizoi aktivitetin e tij intelektual. Përkundrazi, shtëpia e familjes Sadiku u shndërrua në një qendër të heshtur të mendimit dhe organizimit.

Momenti i rrethimit dhe etika e sakrificës

Sipas Prof. Sabile Keqmezi (Basha), nënëmadhja Zarife Sadiku në momentin e rrethimit nga forcat serbo-jugosllave i drejtohet Mulla Idrizit me këto fjalë

“Hoxhë, kalle luftën e mos u dorëzo. Mos të dhimbsen as fëmijët e mi, as unë, sepse për vatan jepet edhe jeta.”

Këto fjalë përmbajnë një dimension të fuqishëm etik dhe emocional. Në këtë situatë, roli i Nënës Zarife dallon si shembull i heroizmit civil. Ajo nuk ishte vetëm strehë fizike për Mulla Idriz Gjilanin, por edhe mbështetje morale që i dha forcë për të përballuar vitet e fshehjes dhe kërcënimet e vazhdueshme.

Këto fjalë tregojnë se nëna Zarife nuk frikësohej nga pasojat personale dhe familjare, por kuptonte se ruajtja e idealit kombëtar ishte mbi gjithçka. Ajo përfaqëson guximin dhe qëndrueshmërinë e individit të zakonshëm, që, pa armë, kontribuon në mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit të komunitetit.

Mulla Idrizi i përgjigjet:

“Nuk i marr në qafë robët, oj nënë, dhe mos u frikëso, se Zoti është i Madh. Një ditë ka për të dalë në dritë burrëria, besa dhe sakrifica jote dhe e djemve të tu, deri edhe në vetëmartirizim.”

Fjalët e Mulla Idrizit për Rrahim Sadikun: përgjegjësi dhe vlera historike

Në momentet e rrethimit, Mulla Idriz Gjilani iu drejtua Rrahim S. Sadikut me fjalë që përmbajnë mesazh të fuqishëm moral dhe historik:
“Bëmat e mia janë një zero në krahasim me punën tuaj… asnjë dokument nuk guxon të bjerë në dorë… Dil dhe shtyje afatin, disi, deri sa t’i kryej edhe ca punë, se e kam bërë hesap edhe fundin tim.”

Fjalët e Mulla Idrizit tregojnë disa dimensione themelore:
1. Vlerësimi i sakrificës së tjetrit – Mulla Idrizi edhe në këto momente vlerëson deri në heroizëm për guximin dhe përkushtimin e Rrahimit dhe të familjes së tij.
2. Përgjegjësia historike – Kur thotë “asnjë dokument nuk guxon të bjerë në dorë”, ai tregon vetëdijen për rëndësinë e informacionit dhe pasojat që mund të kenë veprimet e tyre për të ardhmen e kombit.
3. Besimi në drejtësinë e historisë – Fjalët përmbajnë besimin se historia dhe gjykimi i saj do të vlerësojnë sakrificën dhe guximin, pavarësisht nga presioni i kohës.

Ky dialog është mësim për brezat e rinj mbi rolin e përgjegjësisë, besës dhe sakrificës kolektive, duke treguar se liria dhe dinjiteti ruhen edhe përmes mbështetjes së heshtur dhe qëndrueshmërisë morale.

Arrestimi i Mulla Idrisit ndodhi më 26 nëntor, bashkë me Rrahimin dhe Avdi Sadikun, pa ua mundësuar atyre as të varrosnin të vëllanë, duke dëshmuar ashpërsinë e sistemit dhe çmimin e lartë të qëndresës.

Harresa dhe përgjegjësia institucionale

Sot, shtëpia ku qëndroi Mulla Idris Gjilani është në rindërtim e sipër. Kjo nuk është vetëm çështje arkitektonike; është çështje e kujtesës kolektive dhe e kulturës institucionale.

Nëse figura e tij nderohet në diskurs publik, atëherë vendet konkrete të historisë – si shtëpia e familjes Sadiku – duhet të trajtohen si monumente kujtese.

Shndërrimi i saj në shtëpi-muze do të kishte funksione:
1. Edukative – për brezat e rinj
2. Historike – si dëshmi materiale e rezistencës
3. Morale – si nderim institucional për familjen që sakrifikoi.

Përfundim

Qëndrimi i Mulla Idriz Gjilanit në Gjyrishec nuk është episod periferik i historisë. Ai përfaqëson ndërthurjen midis udhëheqësit dhe popullit, midis idealit dhe sakrificës konkrete.

Familja Sadiku dhe Nënë Zarife me familje nuk mbajtën vetëm një udhëheqës kombëtar; ata ruajtën një pjesë të ndërgjegjes kombëtare dhe dhanë shembullin e guximit, integritetit dhe humanizmit në kohë të errëta.

Nëse këto ngjarje lihen në harresë, humbet jo vetëm një kapitull i së kaluarës, por edhe një model etik për të ardhmen. Dokumentimi, studimi dhe institucionalizimi i këtij episodi janë jo vetëm akt nderimi, por detyrim ndaj historisë sonë kombëtare.