Javë e zezë për shqiptarët në migracion, humbin jetën pesë persona
Java që po lëmë pas ka qenë një javë e zezë për shqiptarët në migracion.
Në Gjermani kanë humbur jetë tragjikisht tre kosovarë, 2 prej tyre me shtetësi kosovare dhe njëri me pasaportë zvicerane, por të tretë me mbiemër të njëjtë.
Bëhet fjalë për personat me inicialet B.K, Z.K dhe F.K, të cilët kanë qenë duke udhëtuar drejt Zvicrës.
Ndërkohë merret vesh se ata i përkasin familjes Krasniqi nga fshati Rahovicë e Ferizajt.
Siç shkruajnë mediat gjermane, mosha e të vdekurve është (12), (18) dhe (35) dhe dyshohet se janë nga Ferizaj.
Ditë më parë, në Gjermani kanë vdekur tragjikisht edhe dy vëllezër nga Deçani, të cilët janë goditur nga një tren derisa po shkonin në shkollë dhe ata janë varrosur dje në vendlindje.
Për këto raste ka reaguar edhe Ambasada e Kosovës në Gjermani.
“Java që po lëmë prapa ishte e zezë për Kosovën dhe shqiptarët. Në Gjermani kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të rënda pesë bashkatdhetarë. Ambasada e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe njofton që në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë është në kontakt të afërt me autoritetet gjermane për sqarimin e rrethanave të aksidenteve në Bruckerg të Bavarisë ku humbën jetën dy vëllezër dhe Meersburg të Baden-Württemberg ku sot kanë humbur jetën edhe tre shqiptarë nga Kosova gjatë udhëtimit për Zvicër”, thuhet në reagimin e ambasadës.

