Jeff Hovenier sot merr detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, do të merr sot edhe zyrtarisht detyrën e tij.

I Ngarkuari i deritanishëm me Punë në Ambasadën amerikane Nicholas J. Giacobbe ka bërë të ditur se ceremonia e zyrtarizimit të tij do të bëhet ditën e sotme.

Hovenier, i cili luajti një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.

Ai kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Bellingham dhe shumë nga anëtarët e familjes së tij ende jetojnë në Whatcom County. Hovenier u transferua në Bellingham kur ishte në kopsht fëmijësh, pasi babai i tij mori një punë si profesor në Universitetin e Uashingtonit Perëndimor.

Hovenier ndoqi mësimet në shkollë publike në Bellingham, ku edhe diplomoi në shkollën e mesme në 1983. Ai u diplomua në bachelor në Universitetin Brigham Young dhe pastaj përfundoi edhe studimet master në Universitetin e Georgetown përpara se të fillonte karrierën e tij prej më shumë se tre dekadash si diplomat.

Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi.