Jepet gjoba e parë për shtrenjtimin e vajit në 3.49 euro

Një dyqan ushqimor në Komunën e Skenderajit është gjobitur 1 mijë euro, për shkak se gjatë ditës së sotme një litër vaj e ka shitur me çmim 3.49 cent.

Kryetari i Skenderajit, Fadil Nura, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se çdo individ që abuzon me ngritje enorme të çmimeve të vajit do të gjobitet.

“Gjobë për secilin që provon të përfitojë në mënyrë të pandershme! Nuk mund të ndryshojmë rrjedhën e tregjeve botërore, por mund të shtojmë mbikëqyrjen në qendrat tregtare dhe dyqanet ushqimore, nëse ato apo kushdo tjetër që bën tregti, luan me çmime, në këtë kohë pa kohë kur disa artikuj ushqimor dhe jo ushqimor kanë lëvizje të çmimeve. Nuk do të lejojmë të shfrytëzohet rasti për përfitim të paligjshëm, siç është rasti i sotëm në një prej qendrave tregtare, ku 1 litër vaj është shitur me çmim prej 3.49 euro, pavarësisht çmimit shumë më të lirë të furnizimit. Zero tolerancë për abuzuesit!”, ka shkruar Nura në një postim në “Facebook”.