Jeta që nuk vdiq!

Qe e shtunë edhe ajo ditë (17 prill 1999) e tragjedive tona kombëtare, kur po i ndanim rrugët për të gjallë me familjet tona, me njerëzit tanë.

Edhe moti me shi si sot, vrërët e me mjegull ashtu si fytyrat e ngrysura e të trishta të shqiptarëve të Verbicës, të cilët, forcat gjakatare të sigurisë serbe, po i dëbonin me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Përkundër përpjekjeve tona (të njësitit të UÇK-së), që banorët shqiptarë mos ta lëshojnë katundin, kjo qe e pamundur, ngase ata ishin në panik të një terrori psikologjik, të një lufte speciale mbi të cilët ditën e ushtronin fqinjët tanë serbo-malazez, e natën ajo bartej vesh më vesh.

Verbica qe e fundit prej katundeve përreth qytetit që akoma vetë po mbijetonte mes jetës e vdekjes, mes ankthit e shpresës.

Në vargun e gjatë të njerëzve të pa shpresë: burra e gra, fëmijë e pleq, që detyrimisht kishin marrë një rrugë të panjohur dhe të pakthim, nuk do të jenë të gjithë. Një grup burrash ishim përgatitë për një rrugën tjetër: atë të qëndresës, të malit, të pushkës për liri, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas një ore apo dy, nga momenti i dëbimit të banorit të fundit në kolonë, rreth treqindë forca serbe të ushtrisë, të policisë e ato paramilitare, do t’i bien katundit nga tri anët e tij: nga Shillova serbe në dy drejtime dhe një nga Kmetoci (rrugës kryesore).

Fllimisht, ata përmes të shtënave të armëve hynë në katund. I plaçkitën shtëpitë e më pas ua vunë flakën.

E tmerrshme, e llahtarshme gjithçka në atë ditë!

Gjë e gjallë shqiptare aty brenda nuk mbeti, pos kafshëve shtëpiake që të trazuara po lëshonin britma e ulërima të përziera.

Me dhembje të madhe e përjetuam, duke vëzhguar nga periferia mbi katund, me betimin se me asnjë çmim nuk do ta braktisim vendin, nuk do ta lëmë të vdesë tokën e lashtë arbërore.
Dhe nuk e lamë të vdesë!
Njerëzit tanë u kthyen të gjithë.
Sërish nisën jetën e re, tashmë në liri!

……………….
Kurrë s’kam mujt
me ta kthye shpinën.
Edhe kur t’dogjën
sikur mbete shkret
dukeshe e bukur
t’ardhke erë e mirë
si buka mrume n’çerep…

Shefik Surdulli