Ka ardhur koha (madje jemi vonuar) ta njohim më tepër Beqir Musliun
Emin AZEMI
Sot e ka ditëlindjen shkrimtari ynë emblematik, simbolisti më i kultivuar i letrave shqipe, Beqir Musliu. Ai erdhi në botën tonë letrare si një banor tepër i veçantë që e zhvilloi ‘habitatin’ e vet krijues brenda një sistemi dhe jashtë kodeve e kanoneve që i kishte caktuar koha e shkrimit të viteve 60 e këndej, kur edhe u formua dhe u zhvillua si emër dhe si fenomen letrar.
Beqir Musliu është ndër emrat e rrallë në letrat shqipe që la një trashëgimi të pasur e komplekse krijuese, e projektuar mbi një sistem autonom e autentik letrar.
Ai nuk ndoqi rrymimet e formimit letrar të kohës, por u përpoq të sjell një autorësi origjinale shkrimi që do të bazohej në promovimin e një leksiku pak a shumë atipik poetik, me një përkufizim të avancuar kulturologjik mbi resemantizimin e botës mitike dhe shkrirjen e saj në një areal të pasur simbolikash poetike krejtësisht novatore, si për kohën kur u krijuan por edhe për të sotmen që ende nuk po mundet ta tejkalojë kondicionin e shprehjes dhe të gjuhës që ai la si gjurmë të pashlyera.
Fuqia magjike e fjalës së tij, i jep hirit të metaforës përtëritjen që ka zjarri i fjetur brenda deklishetizimit të fjalëformimit kontrastiv poetik, të tipit BUKURIA E ZEZË, DARKA E MAGJISË, TRENDAFILI I DRUNJT, MURIMI I BUTËSISË, DAULLET E QETËSISË etj.
Për të fjala më shumë se prodhim leksikor e gramatikor, ishte vetë pjesa organike e qenësisë, dhe mbi këtë postulat estetik Beqir Musliu projektoi një dimension të veçantë receptiv, i cili herë del si bashkëpjesmarrës në eksplorimin e kujtesës arkeologjike e paleologjike ndaj historisë dhe aktualitetit, ndaj individit dhe kolektivitetit dhe herë del si fushë magnetike ku ndeshen alkimia e fjalës me horizontin e koduar kontemplativ të ironisë së gjuhës dhe simbolikës së saj.
Nëse dikur shkrimtarët i kishin shkruar veprat e tyre jashtë vëmendjes aktive të lexuesit dhe të kritikës letrare, kjo a mund të vlejë edhe për Beqir Musliun, ndaj të cilit më pak se vëmendje lexuesi, pati mungesë vëmendjeje nga studimet tona letrare, qofshin ato të autorëve e studiuesve, qofshin edhe të katedrave tona universitare e shkollore, (kush e njeh atë, bie fjala, në Shqipëri?) ku Beqir Musliu ende trajtohet vetëm si një shkrimtar hermetik.
Ka ardhur koha (madje jemi vonuar) ta njohim më tepër Beqir Musliun.

