Ka gjuhë shqipe, nuk ka gjuhë kosovare, nuk ka dialekt kosovar
Sinan Sadiku
Kanë rrjedhë si kanë rrjedhë punët, ne e kemi një gjuhë të standardizuar, që për bindjen time do të duhej të korrigjohej, duke e legjitimuar përdorimin e paskajores, duke i hequr disa zgjatime të panevojshme të disa fjalëve, duke i futur në përdorim shumë fjalë nga leksiku i gegnishtes, dhe duke e hequr aty-këtu përdorimin e tepruar të shkronjës ë.
Megjithatë, derisa të arrihet konsensusi, gjuha standarde duhet të përdoret në institucione siç janë administrata shtetërore, shkollat, mjetet e komunikimit masiv…
Shqiptarët çdo kund e flasin gjuhën shqipe. Andaj, nuk ka gjuhë kosovare ose kosovarishte. Ka dialekte dhe nëndialekte të gjuhës shqipe, por nuk ka gjuhë kosovare dhe nuk ka pasur asnjëherë, sepse secili regjion, secila krahinë ose krahinëz e ka përdor të folmen e vet.
Mund të flitet për të folmen e Gallapit, të Anamoravës, të Llapit, të Drenicës, të Rugovës, të Hashanisë, të Gjakovës…, por jo për të folmen kosovare.
Nëse flasim për dialektin gegë mund të themi se veçmas ka qenë e zhvilluar gjuha e Shkodrës, shkodranishtja letrare, në të cilën gjuhë janë shkruar me mijëra vepra.
Për sa i përket Kosovës deri në standardizimin e gjuhës shqipe kanë qenë të shkruara pak libra dhe ata libra ose janë mbështet në ndonjë nëndialekt ose e kanë pasur si model gjuhësor ndonjë vepër nga Shqipëria.
Disa nga shpikësit e kombit kosovar, ose ndonjë injorant mbështetës i tyre, duke e llogaritur të kryer punën e kombit kosovar, kanë shkruar se duhet të krijohet edhe gjuha e veçantë, kosovarishtja.
Realisht sot ekzistojnë kombi gjerman, kombi austriak dhe pjesa e kombit zviceran që e flet gjuhën gjermane.
Edhe gjuha gjermane ka dialekte dhe nëndialekte, porse në institucione, edhe në Gjermani, edhe në Austri e dhe në Zvicër përdoret një gjuhë standarde gjermane.
Pra, nuk ka gjuhë zvicerane, austriake, por ka gjuhë gjermane. Sa i përket letërsisë që mësohet në shkolla nuk ka dallime të mëdha midis këtyre tri shteteve. Gëte, Hajne, Shileri dhe shumë shkrimtarë të tjerë reprezentativ gjerman mësohen në shkollat e që të tri këtyre shteteve.
Pra derisa gjermanofonët, që janë rreth 100 milion, vetëm në Evropë, dhe që jetojnë në disa shtete, janë pajtuar ta përdorin një gjuhë standarde gjermane, cila është arsyeja, cila është e mira që ne shqiptarët, që jemi rreth 6 milion në Ballkan, të mos e përdorim një gjuhë standarde, por disa?!
Për sa i përket gjuhës që flitet në Kosovë dhe në krahinat e krahinëzat e saj mund të them se gjuha standarde ka ushtruar ndikim shumë të madh, aq sa tani është lehtësuar shumë komunikimi midis shqiptarëve.
Në komunën e Dardanës kanë ekzistuar tri të folme: e folmja e Anamaoravës, e folmja e Gallapit dhe e folmja e Hashanisë.
Dallimet kanë qenë mjaft të theksuara. Gjuha e standardizuar i ka zbutë shumë dhe gati i ka eliminuar dallimet, duke i spastruar edhe shumë barbarizma.
Ndikimi i gjuhës së standardizuar është aq i madh, sa edhe gjenerata ime që i kemi kaluar një gjysmë shekulli jetë, thuajse nuk dimë ta flasim gjuhën që e kemi folur gjatë viteve të shtatëdhjeta, edhe pse nganjëherë nuk jemi të vetëdijshëm për këtë. Pra, te shumë fjalë kemi dilema se cilën shkronjë, cilin tingull e kemi përdorë.
Me që kurrë nuk ka ekzistuar një gjuhë kosovare e standardizuar, e besa as një gegnishte standarde në kuptimin e plotë të fjalës, përdoruesit e gegnishtes, ta quajmë kosovare, ose mund ta shkruajnë gjuhën e krahinës apo krahinëzes së vet, ose mund të bëjnë kombinime të ndryshme.
Disa shkrimtarë që shkruajnë në dialektin gegë “kosovar” shpeshherë e bëjnë një përzierje të tillë: pak nga e folmja e krahinës së vet, pak nga e folmja që e kanë dëgjuar nga krahinat përreth, pak nga gegnishtja shkodrane dhe pak nga shqipja standarde.
Veprat letrare të disave dalin të mira, të disave të dobëta e shumë të dobëta.
Megjithatë, edhe te shkrimtarët më të mirë shihen dobësi që nuk shkojnë, improvizime artificiale etj.
Kuptohet veprat letrare mund të shkruhen edhe në gjuhën jostandarde dhe këtu nuk ka asgjë të keqe.
Sidoqoftë, ai që shkruan duhet të jetë mjeshtër i përdorimit të gjuhës, sepse ka gjëra që s`mund të kombinohen, ose nëse kombinohen e marrin një shije të keqe.
Andaj, po e përsëris, nuk ka asgjë të keqe nëse dikush shkruan apo këndon në dialektin gegë, por atij do t`i preferoja që të mbështetet në të folmen e krahinës së vet dhe në gjuhën gege të shkrimtarëve të shquar.
Pastaj, në shumë raste në gjuhën standarde e cila nuk ka asnjë mundësi të përjashtohet, sepse ajo tashmë është brenda gjuhës, brenda logjikës, brenda mendimit dhe përjetimit tonë.
Dihet, ai që është mjeshtër, di të bëjë kombinime të natyrshme, të krijojë vlera, të tjerët mund të dështojnë.
Shtrohet pyetja a do të duhej të bëheshin ato korrigjime që i shënova në fillim?
Mendoj që është dashur të bëheshin deri tani, por nuk janë bërë për shkak të ngurtësisë së tepruar të gjuhëtarëve me ndikim dhe disa faktorëve të tjerë. Por a mund të presim? Mendoj që mund të presim.

