Ka mësim nesër, s`ka mësim nesër, kujt m`i besu populli?

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kanë bërë të ditur se ditën e nesërme do të punohet me orar të rregullt. Sindikata e Arsimit ndërkaq thotë se të hënën nuk ka mësim. Madje edhe komuna e Kamenicës e ka shpall ditë pushimi të hënën.

Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit Avdullah Hoti, ka thënë për Express, se dita e nesërme është ditë e rregullt e punës, andaj edhe në institucionet arsimore në vend, do të punohet me orar të rregullt.

“Dita e hënës është ditë e rregullt e punës në të gjitha institucionet shtetërore. Në institucionet arsimore në të gjitha nivelet do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti-Covid të ndërmarra nga Qeveria”, ka thënë ajo.

Ndërsa, edhe nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur për Express se qëndrimi i tyre është i njëjtë me atë të kryeministrit Hoti, edhe pse nuk është përkrahur nga SBASHK-u.

Nga kjo ministri kanë thënë se mësimi do të zhvillohet në të gjitha shkollat në Kosovë.

Mirëpo, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, po vazhdon të mos lëshojë pe përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Nga SBASHK-u është thënë se bazuar në kalendarin e vitit shkollor, dita e hëne do të jetë pushim dedikuar festës së 28 nëntorit.

Sipas tyre, punëtorët e arsimit dhe nxënësit e meritojnë të pushojnë të hënën për të ndjekur atmosferën festive e për të lartësuar kujtimin për heronjtë e dëshmorët e kombit, që i sollën lirinë këtij trualli.

Ndërsa, edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur sot se për shkollat dhe institucionet komunale, dita e nesërme do të jetë ditë pune.

Ai ka thënë se pas ditëve të humbura të mësimit si shkak i gjendjes pandemike, edhe një̈ ditë e humbur është̈ e pa arsyeshme dhe nuk ka nevojë të ndodhë.

Një koleg i tij në Kamenicë, Qendron Kastrati, e ka shpallur ditë pushimi të hënën për të gjitha institucionet.

Kryeministri Avdullah Hoti, më 27 nëntor ka marrë vendim që dita e hënë, të jetë ditë e rregullt e punës.