Ka ndërruar jetë në Gjilan profesori Jakup Mehmeti

Ka ndërruar jetë në Gjilan, ne moshën 74-vjeçare, profesori në pension Jakup Mehmeti.

Jakupi ka qenë për shumë vite profesor i gjeografisë në Gjimnazin e Gjilanit, të cilin edhe e ka drejtuar për një kohë.

Jakup Mehmeti varroset nesër me drekë, në varrezat e qytetit të Gjilanit.

Jakup Mehmeti është i lindur në fshatin Gumnishtë, ku e ka mbaruar shkollën fillore (katërvjeçare), ndërsa klasat tjera të fillores i ka kryer në Partesh.

Shkollën e Mesme Ekonomike e ka mbaruar në Gjilan, gjatë viteve 1960/69. Fakultetin Filozofik – Dega e Gjeografisë e ka mbaruar më 1973.

Në gjimnaz ka filluar te punoje nga viti 1973, përfshire edhe paralelet e ndara të Gjimnazit në Zhegër.

Nga viti 1984 e deri në vitin 1989 ka qenë zëvendësdrejtor i Gjimnazit. Më 1989, më urdhër te ish-Komitetit të asaj kohe, është shkarkuar nga detyra e zv/drejtorit si i papërshtatshëm ideo-politikisht.

Diferencimi ideopolitik në vitin 1990 e gjen të parin në listën prej 18 shokëve të tjerë, për largim nga puna.

Pas kësaj kohe, ai dhe të tjerët kanë mbajtur mësim në të ashtuquajturat “shtëpi-shkolla”.

Në vitet 2007-2010 përsëri kryen detyrën e zëvendësdrejtorit, deri ne pensionim. /Mediafokus