Reshat Ramadani ishte një njohës i mirë i historikut të Gjilanit

Para dy vitesh u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare, Reshat Ramadani, ish-profesor i historisë si dhe veprimtar kulturor për shumë vite në Gjilan. Edukata, mirësjellja dhe pedanteria e kishin bërë atë të ishte një personalitet shumë i respektuar në Gjilan dhe Anamoravë. 

Reshat Ramadani (1939-2022) i takon gjeneratave të para të Gjimnazit të këtij qyteti.

Ai ishte njohës i mirë i historisë së qytetit të Gjilanit. Ka shkruar librin me titull “Gjilani, terrori, represioni dhe eksodi 1944-1956”.

Në Gjilan e kreu shkollimin fillor dhe gjimnazin. Në vitin 1960, filloi punën si mësimdhënës i lëndës së Historisë e Gjeografisë, në shkollën e parë fillore në Gjilan, q[ tani quhet “Thimi Mitko”.

Në fillim të vitit 1968 kaloi si mësimdhënës i lëndës së Historisë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të këtij qyteti dhe njëkohësisht ndoqi me korrespondencë studimet në Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë (grupi Histori me Historinë e Artit) në Universitetin e Shkupit.

Nga fundi i vitit 1971 e deri në prill të vitit 1973 punoi në Entin Regjional Pedagogjik, si këshilltar për lëndët: Histori, Gjeografi, Dituri Shoqërie.

Pastaj emërohet drejtor i Qendrës për Arsimimin dhe Aftësimin Profesional të Punëtorëve në Entin Regjional për Punësim. Pas një kohe emërohet drejtor i këtij Enti, respektivisht Sekretar i BVI-së Regjionale për Punësim në Gjilan.

Ramadani punoi edhe në disa vende tjera, si: drejtor i Qendrës për Arsim e Kulturë, mandej drejtor i kësaj Qendre, derisa pushteti serb i asaj kohe e hoqi nga posti, më 1992.

Në prill të vitit 1993 largohet nga puna, së bashku me një grup punëtorësh të Qendrës, me pretekst si janë ‘tepricë teknologjike’.

Më 1994 i plotësoi kushtet për pensionim të parakohshëm.

Reshat Ramadani u angazhua në shumë aktivitete të kulturës, veçmas në zhvillimin e artit muzikor e sidomos të folklorit.

Ka kënduar edhe vetë dhe është shquar për interpretimin e këngëve të vjetra qytetare.

Ka shkruar edhe një libër për ansamblet kulturo-artistike të këtij qyteti./Mediafokus