Ka ndërruar jetë profesori Sabit Demiri
Ka ndërruar jetë në Gjilan profesori i historisë në pension, Sabit Demiri, i njohur si Agi Bit.
Njoftimin e ka dhënë familja e cila ka thënë se sot, më 6 shtator 2020, ka ndërruar jetë i dashur ynë, Sabit (Ali) Demiri – Agi Bit.
Varrimi i të ndjerit bëhet të hënën, më 7 shtator 2020, me faljen e namazit të drekës, në Varrezat e qytetit në Gjilan.
Për arsye të pandemisë, ngushëllimet pranohen edhe nëpërmjet telefonatave.
…………..
Sabit Demiri rrjedh nga familja hasjane e fshatit Konjushë. Është i lindur më 2 maj të vitit 1945, në Gjilan, në lagjen më të vjetër të qytetit, Balec, ku e ka kaluar jetën fëmijërore edhe rinore.
Pas shkollës fillore, ka mbaruar Gjimnazin në Gjilan, drejtimi i Përgjithshëm, si dhe Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë.
Dy ditë pa e mbaruar vitin shkollor, më 20 maj të vitit 1965, është përjashtuar si nxënës i padëshiruar (nacionalist), por me të drejtë regjistrimi në shkollat tjera të mesme.
Ka filluar të punojë gjatë vitit 1968-1969, së pari në shkollën fillore “Musa Zajmi” të këtij qyteti.
Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, më 1971 është punësuar në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Pati fatin të jetë kujdestar i klasës ku ishin dy veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare, Kadri Zeka e Hydajet Hyseni.
Nga viti shkollor 1981 e gjer në vitin 1989/1990 ka punuar në AMO, si shkollë eksperimentale e asaj kohe.
Vitet e rënda e gjejnë në Gjimnaz, prej nga largohet dhunshëm, me disa të tjerë, si i padëshirueshëm apo i papërshtatshëm për arsim. /mediafokus.info

