Kaçaku i maleve, Hisen Gërbovci, një histori e pashkruar
Hisen Kadriu nga fshati Dazhnicë (1905-1971) shquhej për zotësi, mençuri e për trimëri. Ka qenë luftëtar, këngëtar, pajtimtar i gjaqeve, humanist që vështirë i gjendet shoqi, shkruan Mediafokus.info
Por, historia e disa njerëzve ka mbetur e pa shkruar, e pa zbuluar si mos me qenë pjesë e Kosovës, thotë Asllan Gërbovci, djali i tij.
Hiseni vdiq para 52 vitesh, më 7 prill të vitit 1971.
Hisen Kadriu luftoi bashkë me shokët e tij kundër regjimit të asaj kohe. Ishte i frymëzuar prej babës së tij, sidomos kur ia vranë vëllain.
Gjatë luftës në Kikë, ishte betuar se i gjallë nuk do të dorzohet.
Atij i vranë djalin e vëllait, Ramizin, Limin, djalin e Limit, në moshën 18-vjeçare, kushërinjtë Kamerin, Rrahmanin dhe shokët e tij dhe njëherësh i kallën edhe shtëpinë.
‘Akoma ka njerëz që janë të gjallë dhe që dinë të tregojnë për këta njerëz se kush kanë qenë. Unë jam njëri prej atyre që i di të gjitha ngjarjet, të cilat i kam përjetuar si fëmijë. Edhe baba dhe shokët e tij më kanë treguar’, thotë Gërbovci.
Ai tregon më tutje se një ditë e kishte takuar Hasan Malën nga Hogoshti, rastësisht dhe ai e kishte pyetur. ‘A ke shkruar për bacin Hisen. Ai ka qenë edhe polic në kohën e Shqipërisë, se prej atëherë e mbaj mend në Hogosht edhe si luftëtar. Meriton t`i shkruhet historia. Ka qenë Isa Boletin. Po të ishte nga anët tjera kishin shkrue roman për të dhe përmendore i ksihin ngritur’ – rrëfen ai tutje.
Luftë për këto troje është bërë prej kur ekziston shqiptaria.
‘Unë kam shkruar një libër, ashtu siç kam ditur vetë, me gabime apo pa gabime, po le të ngelin shënime. Le ta dinë gjithë rinia se ka pasur edhe në këto anë luftëtarë që kanë luftuar për këtë vend. Historia e vërtetë për shqiptarët duhet të shkruhet me emër dhe mbiemër, sepse mjaft e kemi mësuar historinë e serbëve’, thotë Gërbovci, i cili ka bërë një biografi të shkurtër për këtë njeri të madh të kësaj ane. /Mediafokus.info

