Kajtazi: Rrahman Jasharaj, sinonim i rezistencës ndaj pushtetit arrogant

Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se Rrahman Jasharaj është kthyer në një simbol të rezistencës ndaj pushtetit të Albin Kurtit, të cilin e ka cilësuar “arrogant, të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm”.

Kajtazi, përmes një cicërime në Twitter, ka deklaruar se kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, nuk po lufton për interesat e tij personale, por për arsimtarët.

“Ky njeri është bërë sinonim i rezistencës ndaj represionit të këtij pushteti arrogant, të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm. Ai, edhe pak muaj del në pension. Kësisoj nuk po lufton për veten, por për arsimtaret të cilët edhe nën pushtim, nuk na lanë pa shkollë”, ka thënë Kajtazi.

“Për ata që nuk kanë kujtesë, me apo pa qëllim, arsimtarët kanë mbajtur mësim në tenda najlloni edhe në Malet e Berishës, në Qyqavicë, Llapashticë, Bajgorë… Pra, kurrë nuk kanë hequr dorë nga edukimi i nxënësve”, ka deklaruar Kajtazi.

Rrahman Jasharaj, si udhëheqës i SBASHK-ut, ka shpallur më 25 gusht grevën në arsim, për të cilën ka thënë se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të mësimdhënësve për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat e Zyrtarëve Publikë.