Kalaja e Princeshës dhe dy kalatë tjera janë zhdukur
Gjilani si regjion, pos trashëgimisë tjetër kulturore, që është mjaft e pasur, ka edhe kalatë, disa sosh, si fortifikata të kohës, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Kalaja e Pogragjës është një nga vlerat më të rëndësishme të kësaj trashëgimie në këtë trevë, që daton nga shekulli XIV.
Dëshmitë e mëvonshme flasin për një kala të rindërtuar që në shekullin VI.
Pogragja, në antikë, ishte një nga stacionet e rrugës që lidhte këtë pjesë të Kosovës me rrugën Nish-Shkup.
Të njohura janë edhe Kalaja e Mireshit, Kalaja e Resulës, Kalaja e Zhegrës, Kalaja e Bresalcit, që njihet si Kalaja e Princeshës, e Sllakocit të Epërm, e Gadishit, e Kukajve etj.
Të zhdukura konsiderohen kalaja e Përlepnicës dhe ajo e Prizrencit.
Për kalatë ka edhe legjenda. Sipas një legjende, ndërtimi i Kalasë së Pogragjës ka zgjatur disa vjet.
Njëri prej muratorëve e kishte lënë nusen e re, sapo ishte martuar.
Atij i kishte lindur një djalë, që ishte rritur e bërë burrë pa e parë asnjëherë babanë e tij.
Sipas gojëdhënës, takimi mes tyre përfundon në mënyrën tragjike, pasi që babait, nga habia kur e sheh djalin, i bie çekani nga dora dhe e godet atë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. /Mediafokus.info



