Kamberi dështon për 13 vota të sigurojë mandatin e deputetit

Shaip Kamberi nuk do të jetë pjesë e Parlamentit të Serbisë në këtë mandat pasi dështoi të sigurojë ulësen për 13 vota.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës nga zgjedhjet në Tërrnoc, ka marrë vetëm 598 vota, të pamjaftueshme për rizgjedhjen e tij.

Sipas Kamberit, 6 vota i ka marrë Partia Socialiste e Serbisë, ndërkohë që 10 të tjera janë shpallur të pavlefshme.

“598 vota i kemi marrë, për 13 vota nuk e arrijmë mandatin sepse 6 vota ka marrë SPS dhe 10 të tjera janë të pavlefshme”, ka thënë Kamberi.

Sipas raportimeve, në vendvotimin në shkollën fillore “Muharrem Kadri” kanë votuar 618 nga 1050 votues të regjistruar.

Në zgjedhjet e përsëritura për herë të dytë në Tërnoc të Bujanocit, Kamberi ka marrë 679 vota të cilat ishin të mjaftueshme që ai të bëhej deputet.

Por, një ankesë nga koalicioni SPS, Serbia e Bashkuar dhe “Të Gjelbrit e Serbisë”, shtyu Komisionin Republikan të Zgjedhjeve që zgjedhjet të përsëriten edhe një herë.