Kamberi: Me ‘Ballkan Open’ Serbia po promovon botën serbe

Deputeti i Kuvendit të Serbisë nga klubi i deputetëve “Lugina e Bashkuar- SDA” Shaip Kamberi ka thënë se “Serbia gjendet në fazën e luftës propaganduese” ndaj regjionit sikur që ishte në vitet 90-të të shekullit të shkuar dhe se “Serbia kinse promovon Ballkanin e hapur e në fakt promovon botën serbe”.

Këtë deklaratë, Kamberi e bëri në Forumin e 14-të për drejtësi tranzicionale që po mbahet në Beograd, duke nënvizuar thelbi i pengesave në procesin e pajtimit është vetë Serbia.

Sipas tij, Serbia ka probleme e konteste me Kroacinë, duke mos dëshiruar të pranojë krimet e luftës sepse me siguri iu frikësohet reparacioneve të luftës, përkatësisht dëshiron të rrëmbejë Republika Srpska.

“Serbia nuk dëshiron të pranojë as krimet e luftës të kryera në Kosovë, sepse mendon se në atë mënyrë do të ruajë më mirë pozitat në procesin aktual të dialogut”, tha Kamberi.

Kamberi mendon se problem shtesë në të gjithë këtë situatë është se BE po humb fuqinë nxitëse drejtuese, sepse “nuk ka potencial për zgjerimin e mëtejmë”.

Deklaratat e Kamberit kanë hasur në reagime të shumta kryesisht nga deputet edhe njerëz të pushtetit, që kanë kritikuar Kamberin për qasjen e tij rreth situatës aktuale në Serbi.