Kamberi u kërkon shqiptarëve të Luginës të regjistrohen: Të tregojmë se jemi shumicë
Derisa regjistrimi i popullësisë në Serbi po shkon drejtë fundit, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi ka kërkuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës që të regjistrohen të gjithë deri me 31 tetor.
“Procesi i regjistrimit ka hyrë në dhjetë ditëshin final. Deri më tani regjistruesit shqiptarë kanë kryer punën e tyre shumë mirë ndërsa qytetarët iu janë përgjigjur masovikisht procesit të regjistrimit”, tha deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë.
Kamberi më tej theksoi se tani janë në fazën finale. Prandaj ka nevojë për energji shtesë e vazhdimësi të vullnetit për t’u regjistruar e për t’u regjistruar çdo qytetarë.
Deputeti inkurajon regjistruesit të vazhdojnë me intensitetin e lartë të punës, ndërsa qytetarët që të vazhdojnë të regjistrohen. Të gjithë. Deri tek qytetari i fundit shqiptar.
“Është shumë me rëndësi prandaj ju ftoj që të vazhdojmë këtë intensitet e këtë punë të filluar mirë. Të gjithë bashkë. Të regjistrohemi. Të dëshmojmë sa jemi e të tregojmë se jemi shumicë”, tha deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë.


 
 
						 
						