Kamenicë: AKR përjashton asamblistët që votuan buxhetin, LDK hesht për rrjedhën e votës
Me dy votat e AKR-së dhe një të LDK-së, Kuvendi Komunal në Kamenicë ka arritur ta miratojë buxhetin për vitin 2021.
AKR-ja ka reaguar me largim nga radhët e veta të asamblistëve që nuk respektuan qëndrimin e partisë, ndërsa LDK nuk është deklaruar ende në lidhje me këtë vendim, që pavarësisht dallimeve politike, është çështje jetike për qytetarët e Kamenicës.
Në AKR kanë thënë se 2 këshilltarë komunalë janë përjashtuar nga partia, pasi votuan miratimin e buxhetit për vitin 2021.
AKR-ja kishte kërkuar nga këshilltarët e saj të mos e votonin buxhetin me arsyetimin se kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati kishte dëmtuar komunitetin me reformën në arsim, duke i mbyllur shkollat në disa vendbanime.
Këshilltarët komunalë të AKR-së kanë vlerësuar se miratimi i buxhetit nuk mund të lidhet me reformën në arsim, ngase këto dy çështje nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën.
Kryetari i Degës së AKR-së, Fatmir Matoshi, thotë se këshilltarët komunalë u përjashtuan ngase dolën kundër qëndrimeve të partisë.
Tash, AKR ka ngelur me 2 këshilltarë në vendimmarrjen komunale në Kamenicë, nga 4 sish sa i kishte.
Ndërkaq, LDK e cila kontribuoi me një votë në favor të miratimit të buxhertit, nuk është deklaruar ende për”‘tradhtinë” e anëtarit të saj.
Sejdi Kurteshi i ka thënë koha.net se nuk sheh gabim në veprimin e tij dhe nuk beson që për shkak të bindjeve, do të përjashtohet nga grupi i LDK-së, siç ka bërë AKR-ja.

