Kandidates për Asamble Komunale nuk i figuron në formular as vota e vet

Kandidates së Nismës Socialdemokrate, Lejla Rama – Gashi, në Formularin e Rezultateve të Kandidatëve (FRK) nuk i figuron as vota që e ka vënë për veten.

Ajo ishte kandidate për asamble të Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit dhe mbante numrin 3 në listë, por pikërisht në vendvotimin ku ajo ka votuar nuk i figuron asnjë votë sipas FRK-së së dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Këtë e ka bërë të ditur vetë Rama – Gashi, e cila ka thënë se do të luftojë ligjërisht që vullneti i votuesve të saj të zbatohet deri në fund.

Postimi i plotë:

Të dashur familjarë, miq e dashamirë,

Fillimisht dua të ju falenderoj për besimin e dhënë në zgjedhjet e së dielës, duke ju uruar shëndet dhe mbarësi.

Procesi zgjedhor i së dielës lë shumë për të dëshiruar, duke ditur se parregullësitë kanë dominuar në shumë prej vendvotimeve në Prishtinë, e një prej shembujve është vendvotimi im, që unë si kandidate kam votuar vetën, ndërsa në FRK kam rezultuar me asnjë votë.

Unë do të ngris zërin për votën time, dhe për votat e tjera që ju mi keni besuar, duke u zotuar se deri në fund do të luftoj ligjërisht përmes ankesave që vullneti juaj të zbatohet deri në fund.

Ju faleminderit!