Kandidati për kryetar të Cyrihut, Përparim Avdili kërcënohet me vdekje nga një shtetas malazez
Fushata zgjedhore në qytetin e Cyrihut po tregon anën e saj të shëmtuar pak para zgjedhjeve të së dielës. Ajo tashmë përfshin kërcënime serioze dhe një operacion policor.
Në qendër të gjithë kësaj është kandidati i FDP-së Përparim Avdili, i cili po garon që të fitojë zyrën e kryetarit të bashkisë për qendrën e djathtë me një fushatë jokonvencionale, pas 36 vitesh që këtë post e mban PS, transmeton albinfo.ch.
Të enjten, policia arrestoi një burrë 31-vjeçar, shtetas malazez i cili i kishte dërguar kërcënime me vdekje politikanit liberal nga një llogari anonime në mediat sociale.
Kërcënimet me vdekje kishin në shënjestër Avdilin dhe familjen e tij dhe, sipas informacionit të marrë nga NZZ, lidhen me luftën në Gaza.
Policia kantonale e Cyrihut dhe zyra e prokurorit publik i konfirmuan gazetës incidentin.
Zyra e prokurorit publik po zhvillon procedura penale kundër personit nën dyshimin për kërcënime dhe keqpërdorim të një sistemi telekomunikacioni.
Vetë Avdili nuk pranoi të komentojë mbi ngjarjet, për shkak të situatës aktuale.
Me sa duket, përshkallëzimi rrjedh nga qëndrimet e Avdilit mbi luftën në Gaza dhe mbi Islamin.
Këto qëndrime u morën fillimisht dhe u kritikuan ashpër disa javë më parë nga revista online “Baba News” dhe më vonë nga kanale të tjera pro-palestineze në mediat sociale.
Portali “Baba News” akuzoi Avdilin jo vetëm për injorimin e realitetit në Gaza, por edhe për injorimin e qëndrimit politik të shumë njerëzve në komunitetin shqiptar.

