Kandidatja e LDK-së Balaj-Ajdini (99): Pse shkollat e mjekësisë në nivelin e mesëm kanë kaq shumë konkurrencë?
Kandidatja e LDK-së për deputete në Kuvendin e Republikës, Afërdita Balaj – Ajdini, e cila në listën zgjedhore të kësaj partie mban numrin 99, ka shprehur shqetësimin rreth regjistrimit të madh të nxënësve në shkollat e mjekësisë, duke thënë se rreth 80% e tyre, sapo e mbarojnë shkollën, e nisin menjëherë kursin e gjuhës gjermane.
Kandidatja e LDK-së e cila po merr përkrahje të jashtëzakonshme në terren, teksa ka shprehur këtë shqetësim, tha se shumica e nxënësve me mundësinë e parë, ikin jashtë vendit, jo nga dëshira, por nga nevoja.
“Në tri vitet e fundit, kjo gjendje është bërë alarmante — një valë e heshtur emigrimi, që po e zbraz vendin nga të rinjtë më të aftë e më të shkolluar. Asnjë qeveri deri më sot nuk ka treguar vullnet real për ta ndalur këtë plagë”, ka thënë Balaj-Ajdini.
Postimi i plotë i Afërdita Balaj-Ajdini:
Pse shkollat e mjekësisë në nivelin e mesëm kanë kaq shumë konkurrencë?
Kjo pyetje nuk duhet t’u bëhet nxënësve, por institucioneve shtetërore që prej vitesh po e lënë rininë pa perspektivë.
Sot, shumica e të rinjve garojnë për t’u regjistruar në shkollat e mjekësisë, jo sepse duan të punojnë në Kosovë, por sepse e dinë që ajo diplomë hap rrugën për t’u larguar sa më shpejt jashtë vendit. Rreth 80% e tyre, sapo e mbarojnë shkollën, e nisin menjëherë kursin e gjuhës gjermane. Me mundësinë e parë, ikin. Jo nga dëshira, por nga nevoja.
Ndërkohë, qeveria dhe Ministria e Arsimit vazhdojnë të flasin për “strategji zhvillimore” dhe “reforma në arsim”, por realiteti në terren është i hidhur: po përgatisim infermierë për Gjermaninë, jo për spitalet tona. Po investojmë në kuadro që kurrë nuk do t’i shërbejnë vendit, sepse shteti nuk u ofron as paga dinjitoze, as kushte pune, as respekt.
Në tri vitet e fundit, kjo gjendje është bërë alarmante — një valë e heshtur emigrimi, që po e zbraz vendin nga të rinjtë më të aftë e më të shkolluar. Asnjë qeveri deri më sot nuk ka treguar vullnet real për ta ndalur këtë plagë.
Në vend që të ndërtojmë politika për ta mbajtur rininë këtu, po e shtyjmë drejt aeroportit. Dhe kjo është fytyra e vërtetë e një shteti që flet për zhvillim, ndërsa i rrit fëmijët për t’ua dhuruar botës.

