Kapen 91 kilogramë drogë në Podujevë, përleshje mes të dyshuarit dhe policisë

Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme pas një operacioni të zhvilluar mbrëmë në Konushefc të Podujevës, ku ka kapur 91 kg nakrotikë.

Drejtori i Drejtorisë së Narkotikëve, Major Reshat Murseli, tha në konferencë se aksioni është koduar me emrin “Kamera”, teksa i njëjti aksion është zhvilluar pas hetimeve të ndërmarra disa muaj, i koordinuar me Prokurorinë e Prizrenit dhe me Prokurorinë e Prishtinës.

Aksioni ka nisur mbrëmë rreth orës 20:20 ku policia i ka dhënë urdhër të ndalohej veturës që dyshohej se transportonte substanca narkotike, por, sipas Major Reshatit, të dyshuarit nuk kanë përfillur urdhërat por kanë rritur intensitetin e lëvizjes së veturës.

Gjatë ikjes, vetura ka goditur një hetues policor, “i cili ka pësuar me lëndime të lehta trupore dhe i janë shkaktuar dëme materiale veturës”, u tha në konferencë.

Tutje, policia ka shkrepur me armë, teksa për shkrepjen e armës është njoftuar edhe IPK.

“Ndërsa vetura është ndaluar i dyshuari braktis veturën dhe arrin të arratiset në këmbë në drejtim të panjohur. Në veturë brenda saj policia ka gjetur 34 paketime me marihuanë me peshë mbi 91 kilogramë”.