Kapja e shtetit: “Shoferi i Bulliqit” emërohet anëtar i Bordit të KRM Pastrimit
Abedin Zeka nuk do të jetë më vetëm një shofer veture. Vozitësi i kryetarit të Komunës së Podujevës tash e tutje do të jetë në rolin e mbikëqyrësit të një ndërmarrje publike. Aktivisti i LVV-së është emëruar zyrtarisht anëtar i Bordit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Pastrimi’.
Nga aktivist politik, në shofer, në anëtar bordi. Një ngjitje kaq të shpejtë në karrierë nuk e kishte paramenduar para tri vitesh Abedin Zeka.
Për ta ‘graduar’ në pozitë shoferin e kryetarit Bulliqi, komisioni komunal i aksionarëve të Komunës së Podujevës e ka shkarkuar fillimisht ish-anëtarin e bordit, Bujar Asllanin. Asllani ishte emëruar në këtë pozitë para një viti.
Në vend të Asllanit dy anëtarët e komisionit, Bahri Selimi dhe Drita Pajaziti e propozuan për emërim në këtë bord, Abedin Zekën.

Për këtë përzgjedhje ka reaguar ashpër opozita në Podujevë. Ekrem Rrahmani nga LDK-ja ka thënë se vendimi i shkarkimit është në kundërshtim të plotë me ligjin.
“Per vendimet qe po merrni ne kundershtim me ligjin do t’ju perballim me Agjensionin Kundër Korrupsionit dhe me organet e drejtesise, mbi kete baze me ankese i jemi drejtuar tashme Agjensionit Anti Korrupsion”, është shprehur Rrahmani në një shkrim në Facebook.

Sipas ligjit, personi i cili emërohet në këtë pozitë i nevojitet kualifikim dhe përvojë pune e ngjashme në këtë pozitë, të mos jetë në periudhë prej 36 muajsh bartës i një posti udhëheqës i ndonjë partie dhe kësaj ndërmarrje sipas ligjit i nevojiten dy drejtorë ekspertë./paparaci.com

