Katër breza u flijuan për të njëjtin ideal – nuk u thyen as kur shtëpia mbeti në duart e Shahës

Historia e familjes së Sefë Sherif Sherifit dhe Shahe Shala Sherifit nga Vërbica e Zhegocit është histori sakrifice shumëbrezore për liri dhe dinjitet njerëzor.

Para Sefës, kjo familje kishte dhënë gjakun e saj në luftëra të mëhershme, ku babai dhe gjyshi i tij ranë në përpjekje për çlirim, pa varre të njohura dhe pa mundur t’u dihet vendprehja, duke mbetur të zhdukur në histori, por të gjallë në kujtesën familjare.

I lindur në vitin 1927, Sefë Sherif Sherifi u rrit pa babë dhe pa gjysh, me dhimbjen e trashëguar dhe me ndjenjën e detyrimit moral për të vazhduar rrugën e tyre.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u rreshtua herët në radhët e luftëtarëve shqiptarë të kufirit lindor, duke vepruar në zonën strategjike të hekurudhës Kumanovë–Bujanoc dhe duke marrë pjesë në çlirimin e Preshevës.

Nga ajo periudhë lufte solli dy trofe simbolike, një llambë vajgurore që familja e ruajti për dekada si kujtim të shenjtë deri në shkatërrimin e saj gjatë bombardimeve dhe rrënimit të shtëpive nga Serbia në luftën e fundit, si dhe një makinë shkrimi, të cilën ia dhuroi Adem Gllavicës si shenjë respekti.

Rrethanat e luftës, ashtu si për shumë të rinj shqiptarë të asaj kohe, e çuan Sefën në frontin e Dalmacisë, prej nga ai nuk u kthye më, duke rënë në moshë shumë të re dhe duke lënë pas bashkëshorten Shahe Shala Sherifi dhe pesë fëmijë të vegjël jetimë.

Lajmin e rënies së tij e solli Feriz Aliu, kushëri i Sefës dhe shok lufte i tij, i cili familjes ia dorëzoi edhe orën e xhepit të Sefës si kujtimin më të çmuar për fëmijët dhe që më pas u bë një nga shtyllat kryesore të mbijetesës së kësaj familjeje në vitet më të vështira.

Me rënien e Sefës filloi kalvari i vuajtjeve për Shahen dhe fëmijët e saj, pasi organet e UDB-së nisën përndjekjen e vazhdueshme ndaj saj duke e arrestuar dhe torturuar me pretendimin se fshihte armët e burrit të saj; torturat më çnjerëzore ajo i përjetoi në Parallovë gjatë dimrit të ashpër të viteve 1955–1956, kur u fut nën akull në lumin e ngrirë, duke mbijetuar me vështirësi të mëdha dhe duke u kthyer në shtëpi me trup të shkatërruar dhe rroba të ngrira.

Pasojat e torturave dhe të ftohtit ekstrem e dëmtuan rëndë shëndetin e saj, duke e lënë invalide përjetë dhe të lidhur pas shtratit, ndërsa fëmijët, me shumë mundime, arritën ta dërgonin në Spitalin e Shkupit, ku mjekët u thanë ta kthenin në shtëpi nëse donin ta shihnin ende gjallë.

Përndjekja ndaj familjes nuk u kufizua vetëm në shtetin represiv, por u shndërrua edhe në terror shoqëror, pasi shpesh gjatë natës xhamat e dritareve thërrmoheshin me gurë nga fqinjë, duke e mbajtur familjen në frikë të përhershme dhe duke e detyruar që herët, para se të errësohej, të mbyllej brenda shtëpisë nga frika e sulmeve, ndërsa kulmi i gjithë kësaj dhune u arrit me vënien e zjarrit në shtëpi nga një dorë e padukshme dhe kurrë e ndëshkuar.

Përveç kësaj, Shahja përjetoi kërcënime të vazhdueshme edhe nga bashkëpunëtorë shqipfolës, të cilët synonin ta thyenin moralisht familjen, duke kërkuar ta detyronin të martohej, vajzat t’ia shisnin dhe djemtë t’ia përzenin nga fshati, ndërkohë që ajo nuk kishte ku të ankohej, pasi sistemi e kishte lënë pa asnjë shpresë.

Në këto kushte ekstreme, mbështetje jetike për familjen u bë familja e Shahes nga Poneshi, e cila e ndihmoi me ushqim, mjete jetese dhe punët e fushës, si dhe Feriz Aliu, i cili qëndroi pranë familjes jo për lavdi, por nga detyrimi moral dhe lidhja e gjakut.

Pesë fëmijët e Sefës dhe Shahes u rritën në jetimëri, varfëri dhe frikë, por me dinjitet, duke mbajtur gjallë emrin dhe kujtimin e babait të tyre dhe duke u bërë dëshmi e vazhdimësisë së jetës.

Sakrifica e kësaj familjeje nuk përfundoi as me Luftën e Dytë Botërore, pasi në luftën e fundit për liri, në vitin 1999, familja humbi përsëri djalin Sherifi, i cili ra dëshmor, duke e lidhur tragjikisht fatin e kësaj familjeje me katër gjenerata të rëna për të njëjtin ideal.

Kështu, gjyshi Mustafa dhe babai i Sefës Sherifi vetë Sefë Sherif Sherifi dhe më pas Sherifi i rënë më 1999 përbëjnë një zinxhir të pandërprerë sakrifice, një histori amaneti brezash ku dhimbja nuk u shndërrua në urrejtje, por në qëndresë, dhe ku katër breza të një familjeje nga Vërbica e Zhegocit ranë për një qëllim të vetëm: lirinë./Mediafokus