Katër kodra – roje të Kalasë
Izeir Hyda
(Toponimet e vendlindjes sime, Pogragjë: Pylla, Pylla e Sherbeleve, Rrasa e Lipovicës dhe Rrasa e Guvenit)
Në kujtesën e Pogragjasëve, me shekuj, janë ruajtur emërtimet e vjetra për vendet, për fushat, kodrat, arat, livadhet, të cilat edhe sot flasin me gjuhën e tyre, për jetën njerëzore në këtë fshat, që nga antikiteti, nëpër etapa të ndryshme kohore, deri në ditët e sotme.
Dëshmia më e mirë janë gjetjet arkeologjike të zbuluara deri më tash, e veçanërisht Kalaja e Pogragjës, një monument i mesjetës, i shekullit IV që akoma qëndron në këmbë fizikisht.
Pra, nga e kaluara Pogragja ka trashëguar objektin e Kalasë si qendër administrative-ekonomimike-ushtarake.
Dhe është interesant se si Kalaja i ka qëndruar kohës, për afër 2000 vjet, pa asnjë përkujdesje dhe pa asnjë intervenim për mirëmbajtjen e saj, pa e llogaritë, këtu rindërtimin e një numri të madh të kalave që e bëri Perandori romak me prejardhje ilire, Justiniani (527-565), pas tërmetit të madh, të viti 518, që përfshiu trojet e Dardanisë.
Historia ka dëshmuar se të gjithë pushtuesit, që shkelnin trojet e Dardanisë, jo vetëm që nuk u përkujdesën për trashëgëminë kulturore të shqiptarëve, por, për më tepër, ata edhe e përvetësuan atë, apo e shkatërruan, në mënyrën më barbare.
Edhe më keq, nga të gjithë, vepruan pushtuesit serbo – sllav, të cilët vazhdimisht punonin “Në dy kahet: vrasje dhe dëbim të shqiptarëve nga trojet etnike, dhe pëvetësim të kulturës dhe objekteve të tyre” (Sherafedin Kadriu ‘Kalaja’, fq. 9)
Egërsia e pushtuesve ishte aq e madhe, për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, sa që vendësit e kishin të pamundur ta ruanin, tërësisht atë.
Populli shqiptar i të gjitha trojeve etnike, bëri atë që mundi – ruajti në kujtesën e tij trashëgimin materiale e shpirtërore; gjuhën, këngët, legjendat, toponimet…, duke i përcjellë ato brez pas brezi.
Kjo dëshmon se ishim këtu, të parët, nga kohërat më të lashta, siç thoshte Mitrush Kuteli:
“Unë jam këtu e do të jem,
– dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri”
Edhe pogragjasit, si gjithë populli i trojeve shqiptare, i ruajti toponimet, për arat, për fushat, livadhet, burimet e ujrave, lumenjt, malet, e gjithashtu edhe për kodrat karakteristike të Pogragjës si:
Kodra e Kalasë, Kodra e Tumës, Kodërgati, Kodërhuti, Kodra e Gjarpnojve, Kodra e Nërmjeme, Kodra e Nurës, Çuka, Rrasa e Guvenit, Rrasa e Lipovicës, Pylla, Pylla e Shërbeleve, Shullani, Skrepi, Shpati i Keq, Limaja, Podina, Fusha e Çelës, Skurrini, Zabeli i Butë, Podi, Izbirishta, Sonumlisi, Dupilla (Dy – pylla – Dy – pyje)…. etj.
Por, me këtë rast, do të flasim vëtëm për katër kodrat që i bëjnë roje Kalasë:
Pylla
Pylla e Sherbeleve
Rrasa e Lipovicës dhe
Rrasa e Guvenit
Orientimisht: Ta zëmë, që jemi në majën e Kodrës së Kalasë, në 560 metra Lmd, më vështrim kah Lindja – kah rrjedha e lumit Morava; përballë kemi Kodrën e Pyllës, mbrapa është Pylla e Sherbeleve, në krahun e djathtë kemi Rrasën e Lipovicës dhe në krahun e majtë Rrasën e Guvenit.
Janë këto katër kodra që i bëjnë roje Kalasë së Pogragjës nga të katër anët, dhe secila, nga këto, ka karakteritika të veçanta, por e përbashkëta e tyre është se të gjitha këto kodra kanë emra shqip.
Kështu i emërtuan të parët tanë, kështu i quajmë edhe ne sot, pasardhësit e tyre.
Pylla dhe Bregu i Pyllës
Pylla (kështu e quajnë Pogragjasit pyllin përballë Kalasë), është një kodër e lartë që gjendet në lindje të Kalasë, në këndin e djathtë, që e formon shtrati i lumit Morava me rrjedhën e lumit të Llapushnicës.
Kjo kodër-pyllë, ka një sipërfaqe të madhe toke, të veshur me drunjë të dendur e të lartë.
Rrëzë kësaj kodre kalon rruga e vjetër që të shpiente në Kala, e cila gjatë pushtimit bullgar mori emrin ‘Xhadja e Bugarit’
Maja më e lartë e saj – Bregu i Pyllës arrinë lartësinë mbidetare 700m.
Kjo kodër në të kaluarën, kur Kalaja e Pogragjës ishte një ‘qytet-kështjellë’ kishte një minierë ku nxirrej
hekuri.
“Prandaj (siç thekson, studiuesi pogragjas, Sherafedin Kadriu, në veprën ‘Kalaja’ fq. 13-14), krahas ushtarëve në Kala, ka shërbyer edhe personeli civil, i cili, përpos tjerash, ka udhëhequr punën në minierën, e cila edhe sot ndodhet në Pyllë, në kodrën përballë kalasë, në lindje të saj, ndërsa mbeturinat e xehes të shkrira gjenden mbi sipërfaqen e tokës. Është fjala për xehen e hekurit.
Rezervat e kësaj xehe gjenden me bollëk në malet e Karadakut, nga Pogragja nëpër Debellde e deri në Buzovik.
Historianët kanë konstatuar se xehja e nxjerrë është përdorë për shkëmbim me kripën si me bregdetin e sotëm shqiptar edhe me Selanikun.”
Pylla e Sherbeleve
Pylla e Sherbeleve është një kodër e lartë që gjendet në perëndim të Kalasë, maja e së cilës arrijnë në 650m Lmd.
Kjo kodër-pyllë, me bimësi e drunjë të dendur është vazhdimësi e kodrave të Karadakut që fillon nga Qafa Kodrës së Kalasë dhe Rrasa e Lipovicës për të vazhduar pashkëputshëm, me Malet e Zeza të Karadakut.
Kodra e Sherbeleve ka dy karakteristika kryesore: e para, në fushën përballë saj edhe në këtë kodër rritet sherbrlja si bimë ushqyese, shëruese e aromatike që përdoret si çaj e si vaj, nga e ka marrë edhe emrin ‘Kodra e Sherbeleve’, dhe e dyta në rrënzë të kësaj kodre është një burim i ujit mineral (tani buron në shtratin e lumit Morava) që deri vonë ka shërbyer si banjë.
Përballë kësaj kodre në anën e majtë të lumit Morava gjenden themelet e një kishe paleo-kristiane që populli e quan Kisha e Çarrme e cila së bashku me kalanë dëshmojnë për një qytetrim të lashtë në këto troje.
Rrasa e Lipovicës
Rrasa e Lipovicës gjendet në anën jugore të Kalasë maja e së cilës arrinë lartësin mbidetare rreth 800m.
Kjo kodër e lartë është një shkëmbë i madh masiv një rrasë e ngjeshur guri që fillon nga Qafa e Kalasë për të vazhduar, pashkëputshëm, përgjatë Maleve të Karadakut.
Kjo kodër shtrihet në anën e majtë të Rekës se Llapushnicës e cila e ndan, këtë kodër me Kodrën e Pyllës dhe Shullanin duke formuar një kanion me bukuri të rralla natyrore.
Kjo kodër, në pjesën më të madhe të saj është e mbuluar me bimësi dhe me dhjetra lloje të drunjëve.
Këtu rritet masovisht blini, nga e ka marrë edhe emrin ‘Rrasa e Lipovicës’ një toponim i kombinuar: shqip – bli, blri; sërb. – lipa, anglisht – lima; te tri gjuhët e kanë një (li) të përbashkët: b/li/ni – b/li/ri, /li/pa, /li/ma, pra këto fjalë mund ta kenë të njëjtin burim gjuhe…
Katër-pesë kilometra larg Kalasë, në pllajat e kësaj kodre shtrihet fshati Lipovicë që mund ta ketë marrë emrin nga kjo kodër.
Në kohët e fundit këtë kodër, shpesh po e quajnë ‘Blinaja’ ose ‘Blinishtë’.
Mendoj se, ndoshta, më mirë do të ishte ta quajmë ‘Rrasa e Blinajës’, për ta ruajtur emrin (bëtrhamë-shqip) – Rrasa – Rrasa e Blinajës.
Në vazhdimësi, përgjatë kësaj kodre ka burime të shumta uji. Burimi kryesor është ‘Bellovoda’ (kalk. sërb.) – Ujë i bardhë.
Ky krua që buron nga shkëmbi me ujë akull derdhet në ‘lumthin’ e Llapushnicës dhe është një nga furnizuesit e shumtë të tij.
Rrasa e Guvenit
Rrasa e Guvenit gjendet në anën veriore të Kalasë. Maja e kësaj kodre arrijnë në 650m Lmd., 90m. më e lartë se Kodra e Kalasë.
Kjo kodër, është një shkëmb masiv i mbuluar me bimësi e drunj, që shtrihet në anën e djathtë të lumit Morava dhe rrugës Gjilan-Pogragjë.
Kjo kodër ‘bashkëjeton’ prej mijëra vjetësh me kodrën e Çukës, në majat e të cilave shtrihet një rrafshlartë që i lidh me Kodrën e Caparit.
Këtu ka burime të shumta uji, prej ku rrjedh Qeshmja e Ramiz Shabanit që gjendet skaj rrugës në përfundim të Lugut të Msheftë.
Rrasa e Guvenit e ka marrë emrin nga një guvë – një gropë e thellë, rrënzë të kësaj kodre, në shtratin e lumit Morava që ne e quajmë Guve-Guveni-Rrasa e Guvenit.
Siç e pamë, secila nga këto katër kodrat, që e rrethojnë Kodrën e Kalasë, kanë lartësinë mbidetare më të madhe se ajo dhe ne, figurativisht, i quajtëm ‘katër kodrat që i bëjnë roje Kalasë’, sepse është vlerësuar se në majat e këtyre kodrave, më saktësisht në dy prej tyre, në Rrasën e Lipovicës dhe në Rrasën e Guvenit, kanë ekzistuar kulla vrojtuese që e kanë mundësuar komunikimin, përmes zjarreve me kalatë tjera (të kësaj vije); me Kalanë e Shkupit, Kalanë e Resulës, të Stançiqit, deri te Kalaja e Novobërdës.
Të gjitha këto, katër kodrat që i përmendëm janë të pasura me florë e faunë.
Këtu zhvillohet një bimësi e lloj-llojshme dhe nje variatet i drunjve të shumtë, duke filluar nga shelnja e verri, që rritën rrënzë këtyre kodrave, në dy anët lumit Morava dhe lumit të Llapushnicës, për të vazhduar me drunjët që mbulojnë sipërfaqet e këtyre kodrave, si bungu, çarri, shkoza, shkoza e bardhë, krekëza, bredhi, ahu, frashnja, bliri, paja, thana, lajthia, murrizi etj.
Gjithashtu, në këto kodra rritën kafshë të egra si lepuri, ketri, drenusha, dhelpra, ujku, derri egër, ariu…
Përfundojmë, se të gjitha këto kodra kanë emra shqip, që janë një hallkë e fortë në zingjirin e qindra toponimeve shqipe të Pogragjës.

