Katër nxënës të lënduar nga qeni brenda një shkolle në Suharekë, policia neutralizon qenin

Një qen ka sulmuar katër nxënës të shkollës “17 Shkurti” në fshatin Shirokë të Suharekë. Përveç nxënësve, qeni ka sulmuar edhe zyrtarët policorë kur i janë përgjigjur rastit.

Policia bëri të ditur se qeni është asgjësuar nga zyrtari që ishte në rast.

“Me datë 22..01.2025, rreth orës 09:50 Drejtoresha Shkollës Fillore “17 Shkurti” në Shirokë ka njoftuar policin për një sulm ndaj nxënësve nga një qen në objekt të shkollës. Patrullat policore iu kanë përgjigjur rastit me urgjencë, kur kanë arritur në shkolle kanë vërejtur një qen brenda shkollës i cili dyshohej se kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët mirëpo në shpejtësi është asgjësuar duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm”, thotë policia.

Nxënëset e lënduara janë dërguar në urgjencë për mjekim.

Për këtë, Policia ka identifikuar pronarin e qenit, dhe e ka arrestuar atë.

“Dy nxënës kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit dhe janë në shërim në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku një nxënës Femër, e lindur në vitin 2017 ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit. Dy nxënës kanë marrë lëndime të lehta nga largimi ndaj sulmit. Hetimet rajonale bashkë me njësitë tjera janë duke hetuar rastin”, thuhet tutje nga policia.

Në PAMJET e siguruara nga SuharekaOnline shihet momenti kur policia ka neutralizuar kafshën e cila gjendej brenda objektit shkollor.